Shumë herë zyrtarët policorë ballafaqohen me sulme, kërcënime e veprime të tjera që i pengojnë ata të kryejnë detyrën zyrtare. Një rast i tillë ka ndodhur dje në Policinë në Gjilan, ku një person i dyshuar, derisa ndodhej në hapësirat e stacionin policor, lidhur me një rast të kanosjes, eskaloi, duke rrezikuar veten dhe policët që ndodheshin aty.
Sinjali mëson se i dyshuari e ka goditur murin dhe derën me kokë e këmbë, e më pastaj ka sulmuar zyrtarët policorë që tentuan ta fusin nën kontroll.
Gjithë ngjarja ndodhi në orët e mëngjesit brenda stacionit, kur Policia hasi në rezistencën e të dyshuarit, i cili u prangos me qëllim që të parandalohet përshkallëzimi i situatës edhe më tej.
Ndaj të dyshuarit, që ishte në gjendje të dehur, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim për ndalimin e tij për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.