Sot, Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit ka miratuar marrëveshjen e Kompaktit me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky është investimi më i madh energjetik në Kosovë deri më sot.
Sipas tij, ky projekt do të ndihmojë në vendosjen e themeleve për tranzicionin e drejtë të energjisë.
Kurti ka njoftuar gjithashtu se sot, së bashku me presidenten eVjosa Osmani dhe me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë zhvilluar një bisedë me zëvendësshefin ekzekutiv të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Mahmoud Bah.
“Shprehëm mirënjohjen tonë për vendimin e bordit për miratimin e marrëveshjes së Kompaktit me vlerë 236.7 milionë dollarë, prej të cilave 34.7 milionë janë kontribut i Qeverisë sonë. Si investimi më i madh deri më tani në historinë e vendit tonë në fushën e energjisë, kjo marrëveshje do të mundësojë vendosjen e themeleve të tranzicionit të drejtë të energjisë, nëpërmjet krijimit të kapaciteteve për konservimin me bateri të energjisë, zhvillimin profesional të fuqisë punëtore dhe përfshirjen më të madhe të grave në këtë sektor”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, kryeministri ka theksuar se me këtë marrëveshje është vendosur një prej bashkëpunimeve më të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Sepse jemi miq, partnerë, aleatë”, ka thënë ai.