Dy policë janë plagosur në Skenderaj të shtunën pas mesnatës në një pikë kontrolli, por janë jashtë rrezikut për jetë.
“Me datë 02.07.2022, rreth orës 23:55, është raportuar se në Skenderaj gjatë një pike të kontrollit janë sulmuar dy zyrtarë policorë, njëri është i plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se të dy zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë, të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. “Polici e plagosi kolegun e tij, ishte jashtë kontrolle” Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Lushtaku, është deklaruar për ngjarjen e mesnatës të së shtunës ku u plagosën dy policë, duke thënë se polici Enver Smakiqi ka qenë ai që ka shtënë me armë në drejtim të kolegut të tij, dhe jo ai. “Polici Smakiqi pa asnjë arsye ka përdorur armën mbrëmë dhe ka plagosur kolegun e tij, derisa qëllim cak kishte vëllaun tim Faton Lushtaku”, ka thënë ai në versionin shpjegues të tij, për gazetën Blic.
“Më vjen keq për gjithë çfarë ka ndodhur mbrëmë, në përfshirjen në një inicident krejtësisht të panevojshëm, ku pasoja kanë mundur të jenë edhe me të mëdha për faktin e veprime anormale dhe agresive të policit Enver Smakiqi”, ka thënë ai.
Sveçla: Përveç sulm ndaj rendit është edhe sulm ndaj Republikës Sulm të paprovokuar dhe të rëndë ndaj institucionit të Policisë së Kosovës, e ka quajtur ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, sulmin e mbrëmshëm ndaj dy zyrtarëve policorë në Skenderaj.
Policët duhet të jetë paprekshmërisht të papenguar, është shprehur ministri Sveçla në një reagim në faqen e tij në Facebook.
Mes tjerash, ministri u shpreh se pret që organet e drejtësisë të marrin masa, sipas ligjeve në fuqi dhe paekuivoke për sulmuesit.
Ku janë të dyshuarit? Dyshja, dyshohet se janë arratisur në bregdetin shqiptar.
Burime të Gazetes Insajderi rrëfejnë se ata aktualisht ndodhën në Shëngjin. E krejt sherri nisi kur dy policë i shqiptuan gjobë trafiku djalit të ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtakut, e cila atyre u kushtoi me sulm.
Dy zyrtarët policorë mbetën të plagosur, njëri si pasojë e armës së zjarrit që ende nuk është konfirmuar se nga kush u shkrep, e tjetri për shkak të mjeteve të forta.
Për sulmin ndaj Policisë u arrestua Nuredin Lushtaku por pas intervistimit u lirua në procedurë të rregullt. Arbri bashkë me xhaxhain e tij, Arifin gjenden akoma në arrati, ndërkohë që Nuredin Lushtaku me vëllain tjetër janë liruar në procedurë të rregullt./Gazeta Enigma/