Te Buduqnosti i Podgoricës nuk e nënçmojnë Llapin para ndeshjes së parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Skuadra më e madhe e Malit të Zi e pret Llapin të enjten mbrëma në Podgoricë (20:30).
Sipas trajnerit të Buduqnostit, Aleksandar Nedoviq, asnjë ekip i Malit të Zi nuk ka të drejtë të sillet me arrogancë.
“Na intereson vetëm loja e parë, nuk mendojmë për revansh. Secila fitore do të ishte plus para ndeshjes në udhëtim.
Llogarisim në faktorin motivim dhe dëshirë që të dëshmohemi para tifozëve tanë.
Nuk është reale të presim që forma të jetë optimale në ndeshjen e parë zyrtare të edicionit”, ka thënë Nedoviq.
“Kemi marrë shumë informata për Llapin, skuadër që ka pësuar ndryshime të mëdha gjatë verës.
Në tri ndeshje ka luajtur në formacione të ndryshme.
E dimë që ka katër brazilianë, një meksikan.
I kemi përcjellë edhe lojtarët e rinj se si kanë luajtur në ekipet e mëparshme.
Të gjitha këto do t’ua prezantojmë lojtarëve”, ka shtuar trajneri i Buduqnostit të Podgoricës.
Nedoviq ka vlerësuar se Llapi luan “futboll pak atipik, disi në valë. Më duket se shumë më mirë paraqitet kur ka rezultat pozitiv”.