Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se “nuk e kupton” rezolutën e Parlamentit Evropian (PE).
Për kujtesë, deputetët e PE-së miratuan një rezolutë ku thuhet se përparimi i Serbisë drejt BE-së do të varet drejtpërdrejt nga forcimi i sundimit të ligjit, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, duke përfshirë njohjen reciproke dhe harmonizimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane, që përfshinë vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
“Si kryeministre, i cila e udhëheq këtë proces negociator me grupime sipas metodologjisë së re, asgjë nuk është e qartë për mua tani – sepse Komisioni Evropian (KE) thotë një gjë, dhe PE thotë një gjë tjetër”, tha Bërnabi në përgjigje të një pyetje nga gazetari N1.
Siç ka thënë ajo, “në dokumentin zyrtar, qëndrimin negociator për kapitullin 35, që në rastin tonë ka të bëjë me Kosovën dhe normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, KE nuk e përmend me asnjë fjalë njohjen”.
“Thotë normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve me Prishtinën. Dhe PE tani ka votuar diçka tjetër. Tani mund të supozoj vetëm se PE-ja do të urdhërojë KE-në të ndryshojë atë pozicion negociator dhe pastaj nuk e kam të qartë se si do ta ndryshojnë pozicionin negociator në mes të procesit negociator. Sepse këto nuk janë ndryshime të vogla në rregullore, por ndryshime të mëdha”, deklaroi Bërnabiq dhe shtoi se “topi është në fushën e Brukselit”.
E pyetur për video-mesazhin e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, të incizuar në Leposaviq të Kosovës, kryeministrja serbe tha se gazetarët duhet ta pyesin atë se çfarë do të thotë mesazhi, ndërsa për ngjarjet në Shtërpcë, ajo theksoi se Prishtina po gjen vetëm arsye për provokim.
Përgjigjja e Bërnabiqit është e njëjtë me atë të Vuçiqit, i cili dje tha se duhet pyetur Radojiçiqi për mesazhin e dhënë nga Leposaviqi. E janë pikërisht Vuçiq dhe Bërnabiq që e mbrojnë dhe e ruajnë Radojiçiqin në Serbi, njeriun e sanksionuar nga SHBA-të dhe të akuzuarin direkt për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe të përfshirit në skandalin “Brezovica”.