Myftiu Tërnava uron besimtarët për Kurban Bajram

Myftiu Tërnava uron besimtarët për Kurban Bajram

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

“Me këtë rast, në këtë ditë të madhe, kam kënaqësinë që në emër të Bashkësisë Islame, institucioneve të saj dhe në emrin tim, t’u bashkëngjitëm lutjeve e ibadeteve të besimtarëve myslimanë që sot janë në rrafshnaltën e Arafatit, ku të gjithë të veshur me petkun e bardhë – me ihrama, të barabartë e pa asnjë dallim, me çiltërsinë shpirtërore e me bindje dhe sinqeritet, kanë nisur kryerjen e obligimeve të haxhit.

“Mesazhet e festës së Kurban-Bajramit janë devotshmëria, barazia, sakrifica, flijimi e solidariteti, vlera këto që shprehen si nga haxhilerët që gjenden në Qabe për të kryer haxhin, po ashtu edhe nga besimtarët myslimanë që gjenden gjithandej nëpër shtëpitë dhe familjet e tyre. Lutjet, ibadetet, devotshmëria, përkushtimi e sakrifica që e karakterizojnë Kurban-Bajramin, me të gjitha ritualet e tjera, përfshirë edhe haxhin dhe kurbanin si dimensionet kryesore të kësaj feste, krijojnë një reflektim shpirtëror, që besimtarin e fisnikërojnë edhe më shumë, e bëjnë më human dhe më të dobishëm për rrethin dhe shoqërinë, sepse që të gjitha këto bëhen me emër dhe për hir të Zotit, tek i Cili arrin vetëm qëllimi dhe nijeti ynë i mirë pas obligimit që kemi”.

Myftiu, mes tjerash, ka folur edhe për Haxhin dhe therrjen e kurbanit.

“S’ka dyshim se haxhi është një nga shtyllat e fesë sonë islame, dhe një nga obligimet më të dashura të Zotit për njeriun, është njëri nga adhurimet që njeriun e afron më shumë me Xhenetin dhe me mundësinë e faljes së mëkateve, ia pastron shpirtin, rritë nderin, respektin dhe dashurinë ndërmjet njerëzve, duke e vlerësuar njeriun si krijesën më të kompletuar që ka krijuar Zoti xh.sh., andaj për hir të të gjitha këtyre dhuntive, Zoti xh.sh. i drejtohet Ibrahimit a.s. me fjalët: “Dhe thirr ndër njerëzit për haxhin, ata do të vijnë këmbësorë dhe kalorës me deve nga të gjitha viset e largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin emrin e Zotit në ditët e caktuara, për atë që i ka furnizuar me kafshë (për kurban). Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër.” (El-Haxh, 27-28)”.

“Në Kuranin fisnik, besimtarët myslimanë në këto ditë të caktuara feste, urdhërohen që të prenë kurban në emër të Zotit, porse dobitë e tij t’i përfitojnë kategoritë e shoqërisë dhe institucionet në nevojë. Për këtë arsye, Zoti xh.sh. thotë: “Falu për Zotin tënd dhe prej kuban.” (Kevther-2), dhe ajeti tjetër: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj…”(Haxh, 37)”.

“Festat fetare te ne, në vazhdimësi kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale, urtësinë para euforisë, drejtësinë para zullumit, paqen para konfliktit e dhunës dhe solidaritetin e bamirësinë para koprracisë, ndaj, ne lutemi dhe urojmë që edhe ky Bajram të jetë në frymën e tillë. Duke ju uruar për festën e madhe të Kurban-Bajramit, lus Zotin për shëndet, mbarësi, begati, dashuri e harmoni në familjet tuaja”, tha Myftiu Tërnava.

Related Articles