Llapi ka vendosur për çmime të lira të biletave për ndeshjen me Buduqnostin, që zhvillohet javën e ardhshme në “Fadil Vokrri”. Llapi synon ta mbushë stadiumin në Prishtinë, për ndeshjen e kthimit të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Skuadra llapjane të enjten mbrëma humbi 2:0 në Podgoricë, ndërsa është raportuar që tifozët vendas kanë shpalosur koreografi anti-shqiptare. Ka pasur edhe hedhje të gjësendeve nga tifozët e Buduqnostit në drejtim të bankinës së Llapit.
Llapi ka vendosur që çmimi i biletës për ndeshje të jetë një euro, për tribunat pas portës. Për tribunën lindore, çmimi i biletës është dy euro. Ndërsa për perëndim, bileta do të kushtojë tri euro. Biletat VIP do të kenë çmimi prej pesë euro.
“Kryesia e klubit merr vendim që në ndeshjen kthyese më 14 korrik në ‘Fadil Vokrri’ të ketë bileta me çmime solide, vetëm që stadiumi të jetë i stërmbushur ndaj atyre që treguan urrejtje jo vetëm ndaj nesh, por ndaj gjithë kombit shqiptar, në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë në Podgoricë”, thuhet në njoftimin e Llapit.