Elton Pereira Gomes, i njohur si Elton Cale, ishte prej lojtarëve më të dalluar të Gjilanit në ndeshjen e së enjtes mbrëma në “Fadil Vokrri”. Gjilani fitoi 1:0 ndaj Liepajas së Letonisë në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Futbollisti brazilian asistoi për Albert Dabiqajn që shënoi golin e vetëm në ndeshje. Cale është shquar edhe në momente tjera të ndeshjes gjatë të cilës ishte shumë aktivë. Ai ka shfaqur nivel të mirë, ndonëse është faulluar vazhdimisht nga lojtarët e Liepajas. Madje pas ndeshjes trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani, ka theksuar se Cale ishte cak i lojtarëve kundërshtarë.
33-vjeçari me përvojë futbolli në shumë vende mbulon shumë pozita në pjesën ofansive. Për të është e rëndësishme të luajë e jo pozita. Dhe te Gjilani në edicionin e kaluar nuk e kishte rastin të luante shumë. Kështu të paktën thotë vetë braziliani.
Ndaj Liepajas, Gjilani ka vuajtur për të mbajtur epërsinë 1:0 deri në fund. Mysafirët rreshtuan sulmet në fund, por pa konkretizuar. Ndeshja e kthimit luhet të enjten e ardhshme në Liepaja të Letonisë.
“Kemi një avantazh të vogël për ndeshjen kthyese ndaj Liepajas, pas fitores së arritur në shtëpi, por do të jetë e vështirë ndeshja e kthimit që do ta luajmë në stadiumin e Liepajas. Mund të them se gjasat për kualifikim janë 50 me 50”, ka thënë Elton Cale të premten për KOHËN.
Ai vlerëson paraqitjen personale. Thotë se ka dhënë më të mirën.
“Jam munduar të bëj më të mirën në ndeshjen e parë, që të ndihmoj ekipin të marrë rezultat pozitiv. Në fushë kam bërë atë që më është kërkuar nga trajneri dhe besoj që e gjithë skuadra e kemi bërë një gjë të tillë. Të gjithë kemi dhënë më të mirën e mundshme”, ka shtuar braziliani.
Ai te Gjilani është që nga vera e vitit të kaluar. Më herët dy vjet ishte te Tirana, ndërsa ka luajtur edhe për Flamurtarin e Vlorës dhe Kukësin. Ka luajtur me sukses edhe në Greqi, Portugali, Rusi e Brazil. Ka luajtur në afro 20 skuadra të ndryshme.
Përvoja e tij mund t’i shërbejë Gjilanit në ndeshjen e vështirë në udhëtim.
“Besoj se mund të arrijmë gjëra të mëdha. Futbolli është një sport i mrekullueshëm dhe në futboll gjithmonë gjithçka është e mundur. Shpresoj që me Gjilanin të bëjmë gjëra të mëdha”, ka thënë Elton Cale.
Ai po punon që të stabilizohet në ekipin bazë të Gjilanit. Synon që të luajë vazhdimisht dhe kështu të shfaqë vlerat që ka.
“Synimet e mia këtë edicion janë që të luajë vazhdimisht pasi që në vitin e parë te Gjilani nuk është që kam luajtur shumë. Këtë vit shpresoj të jem në fushë dhe të gjithë të shohin se cilat janë synimet e mia”, ka theksuar Elton Cale.