Klubi i basketbollit, Ponte Prizreni, që përmbylli pjesën e rregullt të sezonit në Superligë në vendin e parë, ka njoftuar se sponsori gjeneral i klubit është larguar nga sponsorizimi, pasi klubi humbi në gjysmëfinale të play-offit me një vendim të Komisionit të Garave.
Ponte Prizreni dhe Peja ishin duke barazuar 2:2 në serinë gjysmëfinale, ndërsa pasi ndeshja u ndërpre të martën në Prizren, si rrjedhojë e përleshjes së lojtarëve, Komisioni i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës vendosi që ndeshja të mbyllet me rezultat zyrtar 20:0 për Pejën, duke eliminuar Ponte Prizrenin.
Pas vendimit të KG-së së FBK-së, Ponte Prizreni në një njoftim në Facebook ka thënë se sponsori gjeneral, Ponte është larguar nga investimi në klub.
Në letrën e postuar nga kjo kompani thuhet se investimi i saj ka qenë vetëm për t’i inspiruar gjeneratat e reja në sport dhe kulturë sportive “megjithatë, përmbyllja e kësaj sezone me skandale të tilla është e papranueshme dhe as që e kemi ëndërruar që do vijë kështu”.
“Duke mos mjaftuar skandali i rrahjes së lojtarëve, skandali vazhdon edhe në Komisionin e Garave të Federatës së Basketbollit të Kosovës, ku pikërisht ky komision pa analizuar faktet dhe raportet zyrtare të institucioneve, me shpejtësi si asnjëherë më parë, vjen brenda disa ore të natës me një vendim të njëanshëm dhe e dënon me dënim drastik një klub shembull, kurse i favorizon sjelljet josportive dhe inskenimet e lojtarëve të klubit tjetër. Pas këtyre ngjarjeve të turpshme, jo-sportive, degraduese dhe vendimeve të njëanshme, kompania Ponte nuk ka rrugë tjetër, por me keqardhje informon të gjithë se jemi detyruar dhe tërhiqemi nga sponsorizimi i K.B. Ponte nga Prizrenit. Kështu që, ne për një kohë të gjatë nuk do të sponsorizojmë asnjë klub sportiv në Republikën e Kosovës, derisa keqdashësit të largohen nga sporti në përgjithësi dhe basketbolli në veçanti”, thuhet në reagim.
/Gazeta Enigma/.