Kosova nuk duhet të bëjë asnjë kompromis në raport me Serbinë sa i përket arritjes së marrëveshjes filane ndërmjet të dy vendeve.
Pozitë e opozitë thonë se kompromisi i vetëm që është njohja reciproke me marrëveshje përfundimtare.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila për Ekonomia Online ka thënë se në Kosovë nuk mund të flitet për çfarëdo kompromisi apo dhënies diçka Serbisë për arsye se ajo ide ka shpjer në projektime tepër të rrezikshme siç ka ndodhur shkëmbimin territorial.
Ajo shton se çdo marrëveshje me Serbinë duhet të jetë në bazë të vlerave dhe parimeve të cilat i kanë shtet e BE-së.
“Sa i përket marrëveshjes me Serbinë të gjithë e kemi kuptuar deri më tani se për çfarëdo kompromisi në Kosovë nuk mund të flitet në kuptimin e dhënies diçka tutje për Serbinë për arsye se ajo ide ka shpjer në zbatime apo në projektime tepër të rrezikshme siç ka ndodhur ajo që ishte para tri vjetëve me shkëmbimin territorial si një prej ideve që mund ta qonte Ballkanin në një luftë tjetër. E rëndësishme është të kemi reflektim mbi atë se çfarë ka ndodhur 23 vjet se ende duket se po humb fokusi se kishte agresori dhe kush ishte viktima. Dhe tjetra që çdo gjë në raport me marrëveshjen të jetë në bazë të vlerave dhe parimeve të cilat i kanë edhe shtetet e BE-së. Kemi pasur kërkesa apo ka pasur diskutime të cilat mund edhe të sfidojnë realitetin kushtetues në Kosovë dhe natyrisht se të tëra janë të papranueshme”.
Sipas saj, duke qartë se Serbia nuk është e interesuar për stabilitet në rajon, prandaj edhe Kosova nuk duhet të mbetet peng i kësaj, por që është i nevojshëm funksionimi i mirëfilltë dhe zhvillimi.
Ajo shpreson që në ardhmen të ketë reflektim nga ana e Serbisë që të përmirësohen marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
“Një stabilizim i rajonit do të thotë një njohje reciproke e Kosovës dhe Serbisë dhe një ballafaqim me të kaluarën. Se pa ballafaqimin e mirëfilltë me të kaluarën nuk mund të flasim për të ardhmen e sigurt. Serbia gjithmonë krijon probleme. Me këtë Serbi dhe me këtë qasje të cilët e kanë edhe sot në raport me pozicionimin e tyre krah Rusisë në agresionin që ia ka bërë Ukrainës tregohet që është larg vlerave të mirëfillta evropiane dhe natyrisht që standardet e dyfishta mbesin parimi kryesor i politikës serbe”.
“Në ato rrethana Kosova nuk mund të mbetet peng e një Serbie e cila nuk dëshiron ta qartësojë pozicionin, por duhet punuar që punët tona të kryhet përbrenda që natyrisht të kemi një funksion të mirëfilltë të shtetit, rendit kushtetues së zhvillimit të përgjithshëm pa dallim. Dhe natyrisht nëse në të ardhmen ka reflektim nga ana e Serbisë të arrihet normaliteti i dy vendeve me njohje reciproke”, tha Kusari-Lila.
Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa tha se kompromisi i fundit që ka pasur Kosova për shpalljen e pavarësisë ka qenë pako e Ahtisarit
Beqa shtoi se i mbetet Qeverisë aktuale ta marr më seriozisht dialogun dhe të mos merret me çështje teknike.
“Realisht kompromisi i vetëm që ka mbetur të bëhet mes Kosovës dhe Serbisë është njohja reciproke dhe marrëveshje përfundimtare. Koha e kompromiseve të tjera ka përfunduar. Kosova ka pasur kompromisin më të madh që ka bërë për shpalljen e pavarësisë ka qenë pako e Ahtisarit kur kemi lëshuar pe në një farë formë për të ardhur deri te pavarësia dhe mendoj që ai është kompromisi i fundit. Tani i mbetet qeverisë aktuale ta merr dialogun serioz dhe të mos merret me çështje teknike me pjesë të marrëveshjes port ë shkohet me marrëveshjen finale”.
“Unë shoh që qeveria aktuale nuk ka ndonjë vizion, strategji apo koncept si delegohet. Dhe mendoj që i vetmi pozicion i Kosovës duhet të jetë marrëveshja për njohje reciproke mes dy vendeve. Kosova duhet të pozicionet për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke dhe nuk kemi kohe të humbim me marrëveshje teknike”, tha ai.