Abazoviq gabon, nënat e Srebrenicës e kritikojnë rreptë (VIDEO)

Abazoviq gabon, nënat e Srebrenicës e kritikojnë rreptë (VIDEO)

Dritan Abazoviq bëhet kryeministri i parë shqiptar që flet në një ngjarje të madhe komemorative në Potoqari të Bosnjës, për më shumë se 8 mijë viktimat boshnjake të Srebrenicës.

Ulqinaku që udhëheq me qeverinë e Malit të Zi zgjodhi ta shprehë një mendim unik të tij për atë që ndodhi këtu, 27 vjet më parë.

“Gjenocidi nuk është kryer ndaj boshnjakëve, por ndaj njerëzve, nuk e kryen ushtritë por politikat djallëzore, politikat e vdekjes, politikat e mashtrimit”, deklaroi Dritan Abazoviq, kryeministër i Malit të Zi .

Kjo që tha Abazoviq lëndoi jo pak veta, përfshirë “Nënat e Srebrenicës”, një OJQ boshnjake.

”Kryeministri Dritan Abazoviq të na kërkojë falje neve dhe të gjitha viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Fëmijët tanë u vranë vetëm pse janë boshnjakë, u vranë nga një ushtri e organizuar. Në Potoçari nuk ka vend për relativizimin e krimit”.

Reagim të rreptë pati edhe Qendra Përkujtimore e Srebrenicës.

”I nderuar kryeministër Dritan Abazoviq, faleminderit që jeni me ne sot në Potoçari. Mirëpo, ndaj boshnjakëve u krye gjenocid– sepse motivi i vrasjes nuk ishte ‘vrasja e njerëzve’, por vrasja dhe shkatërrimi i një populli. Këtë ju mësojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Lexoni ato”.

Abazoviq e pranoi që gaboi, andaj, nuk vonoi e u bë pishman.

”U kërkoj falje nënave të Srebrenicës për mendimin e shprehur në mënyrë të paqartë. Dihet se çdo vepër varet nga qëllimi i saj. Qëllimi im është paqja. Gjenocidi i kryer kundër boshnjakëve në Srebrenicë të mos përsëritet ndaj askujt”.

Edhe rivalët politikë në Podgoricë e fajësuan Abazoviqin, duke i thënë se deshi ta relativizojë gjenocidin në Srebrenicë, të kryer nga forcat serbe.

Related Articles