Rama: Kosova rrezikon t’i humbasë Lojërat Mesdhetare 2030

Rama: Kosova rrezikon t’i humbasë Lojërat Mesdhetare 2030

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të humbasë organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, duke drejtuar kritika ndaj Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka deklaruar se paralajmërimet e tij tashmë po konfirmohen nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG).

Sipas tij, Prishtina ka përmbushur obligimet e saj, duke punuar në masterplan, përcaktuar projektet dhe lokacionet, si dhe duke i miratuar ato në Kuvendin Komunal.

“Prishtina i ka fituar Lojërat Mesdhetare 2030. Kemi punuar në Masterplan, kemi përcaktuar projektet dhe lokacionet. I kemi votuar në Asamblenë e Kryeqytetit”, ka shkruar Rama.

Ai ka akuzuar Qeverinë qendrore dhe Komitetin Organizativ, të cilin, sipas tij, e drejton kryeministri Kurti, për rrezikimin e kësaj mundësie.

“Tash, kur është radha e Qeverisë qendrore dhe Komitetit Organizativ, në krye të të cilit Albin Kurti e ka vendosur vetveten, si asnjë shtet tjetër, Kosova po rrezikon ta humbasë këtë mundësi historike!”, ka deklaruar ai.

Rama ka bërë të ditur se, sipas tij, ICMG ka konfirmuar mungesën e përgjigjeve institucionale dhe se më 19 dhjetor pritet të shqyrtohet situata, si dhe të procedohet me thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e Lojërave.

“Kjo është humbja ma e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka përfunduar Rama.

Related Articles