Policia në Prizren, mbrëmë pas mesnatës, është njoftuar se një person në gjendje të rëndë ndodhet në emergjencën e spitalit të Prizrenit, i cili dyshohet se është lënduar me thikë nga një person i panjohur.
Me të marrë informacionet, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas një punë intensive kanë arritur ta identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin, V.Z, 21 vjeç.
Fillimisht, atij i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore, për shkak të disa lëndimeve në dorë dhe pastaj është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë AK-47 dhe një gëzhojë.
“Bazuar në hetimet e deritanishme dyshohet se rasti ka ndodhur për shkak të një ngatërrese të mëhershme, ku dyshohet se ka filluar si konflikt verbal dhe më pas ka përfunduar me përdorim të armëve. Personi i lënduar, në këtë rast i dyshuari, E.B. (2002) nuk është intervistuar ende për shkak se është në trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.
Me vendim të prokurorit, ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Njësitë policore në Prizren janë duke kryer kërkimet për gjetjen e armës së ftohtë ( thikë) si dhe ekzaminime tjera forenzike per të siguruar prova tjera materiale për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, njofton Policia.