Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Malishevës, ka mbajtur sot Kuvendin zgjedhor ku ka zgjedhur kryetarin e ri të saj.
Pas një gare, ndërmjet Mevludin Mazrekut dhe Hashim Vrenezit, delegatët me shumicë votash zgjodhën Mazrekun për të udhëhequr me Degën e PDK-së në Malishevë.
Në emër të Kryesisë qendrore të PDK-së, punimet e këtij kuvendi zgjedhor i përshëndeti nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili.
Ai tha se PDK po reformohet e po hapet anekënd Kosovës për të ndërtuar vizionin e ri, për të ardhmen e vendit.
Ismaili e ka falënderuar kryetarin e deritashëm të PDK-së në Malishevë, Isni Kilaj, për punën e palodhshme, ndërsa ka ftuar Kryetarin e ri të degës që të punojë shumë për reformat e nevojshme për të ndërtuar ekipin dhe programin e duhur për të ardhmen e Malishevës.