Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka folur për vizitën e organizatës “Europa Nostra” në Manastirin e Deçanit.
Çeku tha se për ta, kjo vizitë është pakuptim, e vonuar dhe pa efekt, pasi sipas tij, “Europa Nostra” e ka humbur kredibilitetin pasi i është nënshtruar ndikimit politik të Serbisë.
“Në të njëjtën kohë ne e kemi konstatuar edhe një hipokrizi të organizatës “Europa Nostra” sepse vitin e kaluar e ka përfshirë Manastirin e Deçanit pa të drejtë dhe me ndikim politik nga Serbia në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara, ndërsa vitin e kaluar një organizatë e trashëgimisë kulturore e Kosovës, Trashëgimia Kulturore Pakufi, ka dërguar një nominim tjetër për këtë listë, ka qenë Kalaja e Novobërdës”, është shprehur Çeku, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Çeku tha se përkundër konstatimeve që kompania e Serbisë, e angazhuar për punime në Kalanë e Novobërdës që ka shkaktuar, sipas tij, dëme të pariparueshme në integritetin e kësaj kalaje, “Europa Nostra” e ka refuzuar këtë nominim dhe s’e ka përfshirë në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara.
“Prandaj, përveç që është e rrezikuar nga Serbia, kjo organizatë i shkelë edhe parimet e profesionalizmit dhe objektivitetit dhe e refuzon një nominim si Kalaja e Novobërdës për t’u përfshirë në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara”, ka thënë Çeku, njofton Klankosova.tv.
I pari i MKRS-së ka komentuar edhe një postim të raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian pas një takimi me zyrtarët e “Europa Nostra”.
“Në tweet-in e publikuar nga Cramon, Manastiri i Deçanit dhe monumentet e shkatërruara në Ukrainë nga agresioni rus futën në një fjali”.
“Ne duam që të besojmë se kjo e ka bërë këtë gabim pa qëllim, që s’i ka informatat e sakta dhe e ka bërë në mënyrë të ngutshme. Megjithatë, ajo duhet ofruar sqarim për këtë gabim që e ka bërë”, ka thënë Çeku.
Ai tha se pyetja për Cramon është se a ka tërhequr ajo ndonjë paralele mes Kosovës dhe Rusisë ku në të njëjtën fjali e pa përfshirë Manastirin e Deçanit dhe monumentet e Ukrainës që po shkatërrohen nga agresioni rus.