Gjatë një konference për media të mbajtur sot, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka folur edhe rreth mundësisë së rritjes së kapacitetit të stadiumit “Fadil Vokrri”.
Momentalisht stadiumi ka një kapacitet prej 13.500 ulëseve dhe pritet të zgjerohet edhe për 8 mijë ulëse.
Tash e një kohë të gjatë Federata e Futbollit e Kosovës ka përgatitur projektin për zgjerimin e stadiumit, kjo gjithmonë pas kërkesë së madhe të opinionit ku vlerësojnë se stadiumit duhet të zgjerohet pasi nuk i plotëson kërkesat e tifozëve sidomos kur luhen ndeshjet e Kombëtares së Kosovës.
Çeku ka thënë se tashmë e kanë një version të një propozimi për zgjerimin e stadiumit dhe se janë në diskutim me FFK-në për ta jetësuar atë.
“Është një diskutim që e kemi nisur me Federatën prej kohësh dhe unë besoj se në një moment të caktuar do të kemi edhe projektin përfundimtar për këtë. Ju siguroj se buxheti s’do të jetë problem asnjëherë për infrastrukturën sportive dhe për këtë e kemi edhe zotimin e ministrit të Financave dhe të kryeministrit”, është shprehur Çeku.
“Një nga prioritetet tona më të rëndësishme është zgjerimi i kapaciteteve të “Fadil Vokrri” dhe besoj se gjatë këtij viti do t’i japim drejtim këtij projekti”, është shprehur Çeku në konferencën për shtyp.