Prokurori Isuf Sadiku e ka cilësuar rastin e Agonis Tetajt si vrasje e rëndë, në seancën e sotme gjyqësore.
Këtë kërkesë, ai e ka arsyetuar me kërkesën urgjente për rihapje të shqyrtimit gjyqësor duke elaboruar edhe vendimin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ndryshe, prokurori paraprak në këtë rast, Agron Uka e kishte ricilësuar vrasjen e Agonis Tetajt nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.
Tetaj ishte qëlluar me armë zjarri nga Shaban Gogaj, djali i shefit të kompanisë ku punonte. Pamje nga momenti i vrasjes ishin publikuar edhe nga familja e viktimës, e edhe avokati i të pandehurit. Familja kishte thënë se vrasja ishte e qëllimshme, e avokati e kishte cilësuar aksidentale.
Më pas, Gjykata kishte vendosur që ta rihap gjykimin ndaj të akuzuarit Gogaj, nën arsyetimin se ky rast është i nevojshëm të plotësohet me prova të reja.