Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur sot gjatë mbajtjes së Konferencës Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij, Rama ka theksuar se edhe pse pak kohë më parë ishte e vështirë të mendohej se zhbllokimi i procesit të anëtarësimit do të ndodhte, Shqipëria nuk i ka shkuar kurrë në mendje të heq dorë.
Ai ka shtuar se në Shqipëri si rrallëherë ka dakordësi të plotë për të ardhmen evropiane të vendit.
“Në Shqipëri, nuk jemi dakord pothuajse për gjithçka, por për një gjë biem dakord: nuk ka rrugë tjetër përveç Bashkimit Evropian”, tha Rama.
Rama ka shtuar se gjatë historisë së Shqipërisë është hera e parë që vendi zgjedhë të ardhmen e tij.
“Për shekuj na është dashur të jetojmë nën perandori që nuk i kemi zgjedhur. Europa është e para herë që kishim një zgjedhje të lirë. Besojmë në këtë hapësirë lirie, paqe dhe sigurie. Por edhe sepse frymëzon një mënyrë tjetër të të menduarit për përkatësinë në rajonin tonë,” ka thënë Rama.
“Të gjithë e dinë se rruga për të qenë këtu nuk ka qenë e lehtë”, ka thënë Rama, duke shtuar se BE-ja është “ëndrra, sfida, misioni dhe fati jonë”.
“Europa me vlerat dhe standardet e saj, është ajo që e bën të mundur një Ballkan tjetër, një Ballkan paqeje dhe sigurie. Ne e dimë që ajo që kemi arritur deri tani është vetëm fundi i fillimit. Të gjithë e dinë që rruga jonë për të qenë këtu sot nuk ka qenë e lehtë. Ne vazhduam të ecnim, duke mos e humbur besimin, edhe kur u përballëm me dhimbjen e fundit të shuplakës së padrejtë në fytyrë”, ka shtuar Rama.
“BE ka qenë gjithmonë më shumë sesa afate apo shkresa. Kërkimi ynë për Evropën do ishte kthyer në një punë jo frymëzuese, nëse kjo nuk ndodhi është se integrimi ynë në Europë është një çështje për jetë a vdekje. Kjo është arsyeja, edhe pse e shtymë padrejtësisht për 3 vite me radhë”, thotë më tej Rama.
Sipas kryeministrit të Shqipërisë, reforma në drejtësi kaloi në fazën e zbatimit.
“Këto vite kanë qenë shumë sfiduese dhe na kanë bërë më të vendosur në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne shkatërruam të gjithë pallatin e vjetër të drejtësisë së korruptuar dhe tani kemi institucione të reja. Nëse vetëm pak vite më parë do pyesnit dikë në Shqipëri nëse do të kishin menduar se do ishte një politikan pas hekurave, do kishte qeshur me ju. Tani është më ndryshe, as paratë nuk mund tu mbrojnë më”, shton Rama.
“Unë qëndroj këtu sot si lider i një maxhorance të zgjedhur në mënyrë demokratike që nuk ka mbrojtur askënd nga Drejtësia. Shumë hije të së shkuarës vazhdojnë. Kaq të etur për të vazhduar luftën tonë në një nivel tjetër”, ka theksuar kryeministri.