Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal për nënshkrimin e kontratave me përfituesit nga Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar (PZHRB 2022).
Duke kujtuar se në dy vitet e fundit edhe vendi ynë është ballafaquar me pandeminë COVID-19, Kurti tha se si Qeveri në vazhdimësi kemi ndërmarrë masa të shumta përmes skemave të ndryshme, duke pasur për synim mirëqenien e qytetarit dhe të mirën publike.
“Në mesin e këtyre masave, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike e cila kap vlerën prej 570 milionë euro, ai veçoi mbështetjen e bizneseve përmes subvencionimit të pagave të punëtorëve dhe qirave, shtesat për Lehona dhe Fëmijë, shtesat për punëtorët e sektorit privat e publik dhe pensionistë, subvencionimin e energjisë elektrike për familjet dhe bizneset, ndihmën për familjet në asistencë sociale, rritjen e mbështetjes për bujqësi dhe tash së fundmi skemën e punësimit të garantuar “Qeveria për Familjet”. Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar është edhe një tjetër skemë përkrahëse të cilën e kemi dizajnuar së bashku”, tha Kurti.
Ai i uroi të gjithë përfituesit në kuadër të Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar 2022 dhe u dëshiroi suksese dhe punë të mbarë në zbatim të projekteve.