Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë sot në Kuvend se Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë për të ndihmuar qytetarët në krizën më të madhe ekonomike që nga paslufta dhe që përmes rezolutave po provojnë të fshihen nga qeverisja e mirëfilltë.
Sipas Krasniqit, kuvendi më së miri flet përmes ligjeve, teksa dinamikën e shumicës parlamentare e cilësoi të lodhtë.
“S’ka kurrgjë të keqe nga një Rezolutë, por kjo Rezolutë nga mazhoranca, me të cilën e mëson qeverinë që e ka votua vetë, se çka me ba e qysh me u sjellë në një rrethanë të caktuar, para se të flasë për karakterin e rezolutës, flet për karakterin e Qeverisë. Për më tepër, me këtë rezolutë edhe pse mbështetësi i Vetëvendosjes s’ju beson syve, i bien që Mimoza po e mëson Albinin çka me ba”, ka thënë Krasniqi.
Më tej, duke folur për krizën e paralajmëruar ekonomike, Krasniqi ka thënë se Qeveria Kurti në vend sa ta pranoj inflacionin si një problem makroekonomik dhe t’i qaset me instrumente të politikave ekonomike, kanë zgjedhur një qasje qëllimisht të gabuar.
“Ju keni abstenuar nga instrumentet fiskale që i keni në dispozicion, dhe këtë paaftësi tuajën po përpiqeni ta kompensoni duke u përpjekur ta gjeni fajtor, i cili ju mjafton si etiketë për të vendosë politikë të kontrollit të çmimeve”, ka thënë Krasniqi në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, para se me ardhë në këtë pikë, që me vendosë kontroll të marzhës së profitit apo çmimeve, do të duhej që Qeveria të ofronte një evidencë dhe analiza profesionale që dëshmojnë se rritja e çmimeve është rezultat i abuzimit me marzhat e profitit dhe jo për shkak të zhvillimeve të tregut.
Më tej, Krasniqi i ka bërë thirrje Qeverisë se është nevojë urgjente dhe e domosdoshme që të ndërmerren dy gjëra:
“Pezullimi i akcizës dhe zbritja e TVSH-së në produktet e naftës nga 18% në 8% për një periudhë të caktuar kohore. Në këtë mënyrë mund të kemi një zbritje domethënëse të çmimit të naftës për rreth 50 cent në litër; dhe lirimi nga TVSH-ja e mallrave esenciale të konsumit për një periudhë të caktuar kohore”, ka thënë Kryetari i PDK-së.
Krasniqi e ka ftuar Qeverinë që të ketë parasysh propozimet e PDK-së, sepse dimri po vjen shumë shpejtë dhe kriza me të cilën pritet të ballafaqohen qytetarët është shumë e lartë