Shtetasit nga Kosova janë renditur në vendin e tretë, sa i përket numrit të punëtorëve që emigruan në Gjermani për punë në vitin 2021, të cilët nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, me Indinë dhe Bosnje e Hercegovinën që kryesojnë listën.
Në fund të vitit 2021, Gjermania regjistroi 19.600 punëtorë nga Kosova.
Nga India u regjistruan 33.900 punëtorë, ndërsa 26.300 nga Bosnja dhe Hercegovina, sipas statistikave nga Enti Federal i Statistikave të Gjermanisë, Destatis.
Përveç këtyre tre vendeve, Serbia renditet e katërta me 17.400 punëtorë, Kina me 16.700, Shtetet e Bashkuara me 16.500, Shqipëria me 13.800, Maqedonia e Veriut me 13.500, Turqia me 10.700 dhe Rusia me 9.400.
Nga të gjithë punëtorët jashtë BE-së në Gjermani në fund të vitit 2021, është vënë në dukje se 69.900 janë të diplomuar dhe specialistë shumë të kualifikuar që janë rekrutuar me karton blu që nga viti 2012, ndërsa 225.500 prej tyre janë rekrutuar pa karton blu.
Sipas Entit, numri i punëtorëve që emigruan në Gjermani gjatë dhjetë viteve të fundit është trefishuar. Në fund të vitit 2021, Regjistri Qendror i të Huajve të Gjermanisë regjistroi 295,000 persona me leje qëndrimi të përkohshme për qëllime punësimi.
Destatis zbuloi se numri i punëtorëve jashtë BE-së në Gjermani në fund të vitit 2021 ishte 226 përqind më i lartë se në vitin 2011. Në fund të vitit 2011, kishte vetëm 90,500 punëtorë jashtë BE-së që kishin një leje qëndrimi.
Përveç numrit të lartë të punëtorëve nga vendet jo anëtare të BE-së, emigracioni i lidhur me punën nga vendet e BE-së gjithashtu u rrit ndjeshëm. Sipas të dhënave, rreth 1.65 milionë qytetarë të vendeve të tjera të BE-së punonin në Gjermani në vitin 2021. Vendet më të shpeshta të origjinës së BE-së janë Polonia, Rumania, Italia dhe Kroacia.
Pavarësisht se ka një numër kaq të lartë të punëtorëve nga vendet e tjera, Gjermania ende duhet të plotësojë 1.7 milionë vende të lira pune. Kështu, Gjermania po planifikon ta bëjë më të lehtë për migrantët e aftë të zënë punë në vend.
Autoritetet gjermane thanë se po shqyrtojnë zbatimin e rregullave më pak strikte pasi vendi duhet të plotësojë deficitin e punës. Aktualisht, Gjermania duhet të punësojë numrin më të madh të punëtorëve në sektorin e udhëtimeve ajrore dhe mikpritjes.