Policia e Kosovës ka njoftuar se janë lokalizuar zjarret në zonën e Mitrovicës.
Gjatë ditës së djeshme është raportuar për zjarre në tri lokacione, meqenëse në fshatin Cernushë zjarri ishte i përmasave shumë të mëdha, teksa janë evakuuar disa familje për sigurinë e tyre.
Për ta lokalizuar zjarrin, janë ftuar në asistim edhe njësi të FSK-së dhe KFOR-it të cilët kanë ofruar asistimin e tyre si me personel poashtu edhe me pajisje. KFOR-i ka ofruar asistimin me helikopter për shuarjen e zjarreve.
Komunikata e plotë e Policisë:
Bashkëpunimi ndërinstitucional bën të mundur lokalizimin e zjarreve me përmasa të mëdha në zonën e Mitrovicës.
Në orët e pasdites të datës 23.07.2022, policia në Mitrovicë ka pranuar një informata për raste të zjarreve në tri lokacione të ndryshme në zonën e Mitrovicës. Njësitë policore menjëherë i janë përgjigjur thirrjes dhe së bashku me njësitë e zjarrfikëseve kanë dalë në vendin e ngjarjes për lokalizmin e zjarrit.
Meqenëse në fshatin Cernushë zjarri ishte i përmasave shumë të mëdha dhe kishte përfshirë sipërfaqe të mëdha të pyjeve e paoshtu i ishte afruar shtëpive të banuara, janë evakuuar disa familje për sigurinë e tyre.
Për ta lokalizuar zjarrin, janë ftuar në asistim edhe njësi të FSK-së dhe KFOR-it të cilët kanë ofruar asistimin e tyre si me personel poashtu edhe me pajisje. KFOR-i ka ofruar asistimin me helikopter për shuarjen e zjarreve.
Falë përkrahjes së ofruar nga KFOR-i dhe FSK-së, nuk kemi zjarre aktive në asnjë zonë të Mitrovicës dhe gjatë tërë natës pjesëtarë të FSK-së kanë qëndruar afër vatrave të zjarrit derisa ato janë shuar plotësisht.
Në lidhje me rastin, Njësia e hetimeve të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë dhe forensika kanë mbledhur dëshmi nga vendi i ngjarjes dhe pas konsultimit me prokurorin është iniciuar rasti ,,Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe do të vazhdojnë hetimet në lidhje me këtë rast.
Policia në Mitrovicë edhe njëherë apelon te qytetarët që gjithmonë por sidomos në këto ditë me temperatura të larta të kenë kujdes maksimal pasi që çdo pakujdesi e vogël mund të shkaktoj zjarre me pasoja të paparashikueshme e gjithashtu veprimet e tilla, qoftë edhe nga pakujdesia paraqesin vepër penale dhe ballafaqim me sanksione penale.