Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, më në fund do ta ketë mundësinë që të ulet në një tavolinë përballë Sekretarit Amerikan, Antony Blinken, për të diskutuar gjerë e gjatë për raportet Kosovë-SHBA, zhvillimet global e procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Si rezultat i acarimit të raporteve me administratën e Donald Trump, kryeministrit Albin Kurti pas ardhjes për herë të dytë në krye të Qeverisë i bëhej presion për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si test për marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë që veçse ishte vendosur nën pushtetin e Joe Biden. Një presion i tillë e kishte cytur Kurtin që tregonte se kur do të udhëtonte për në Washington. Muaji nëntor i vitit 2021 ishte anuluar si opsion, derisa më pas thuhej se po bëheshin përgatitjet për muajt në vazhdim.
Në mes të gjithë këtij debati dhe kërkesave për një udhëtim të Kurtit në ShBA, në zyrën e Kurtit në muajin janar 2022 kishte arritur një letër nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, letër në të cilën ishin përmendur në mënyrë specifike edhe dy marrëveshje në të cilat Kosova duhej të punonte, energjia dhe të zhdukurit.
“Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, kishte shkruar Blinken në letrën e tij.
Pas kësaj letre, kryeministri Kurti dhe Sekretari Antony Blinken në shkurt 2022 kishin udhëtuar për në Mynih të Gjermanisë për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë. Pavarësisht se kishin qëndruar në të njëjtin objekt, Kurti s’kishte mundur që ta takonte Sekretarin Amerikan të Shtetit. Një fakt i tillë ishte interpretuar në Kosovë si një zhvillim negativ meqë Kurti s’po arrinte të aranzhonte një takim me kreun e Departamentit të Shtetit edhe pse po qëndronin në të njëjtën ndërtesë.
Por vetëm dy muaj më pas kreu i Qeverisë së Kosovës arriti që të shtrëngonte duart me Blinken. Ky takim i shkurtër u realizuar në ceremoninë mortore të Ish-Sekretares së Shtetit dhe mikeshës së Kosovës, Madeleine Albright. Megjithatë në Kosovë një takim të tillë me Blinken në një ceremoni mortore nuk ia llogaritnin Kurtit.
Sytë e veshët katër për udhëtimin e gjatë të Kurtit në SHBA
Pas këtyre zhvillimeve kryeministri Albin Kurti kishte njoftuar se në muajin maj 2022 do t’ia mësynte Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një vizitë të gjatë. Vizitat në kompani të mëdha amerikane dhe takimet në fillim të kësaj vizite nxitën reagime të mëdha. Të gjithë e kërkonin një takim të nivelit të lartë, kërkohej Blinken apo Biden, kërkohej Shtëpia e Bardhë.
Megjithatë infektimi i Blinken me COVID ia lehtësoi Kurtit arsyetimin për mos aranzhimin e një takimi gjatë qëndrimit në Amerikë. Kreu i Qeverisë së Kosovës pas qëndrimit më shumë se 10 ditorë në SHBA, u desh të mjaftohej me një takim me Këshilltarin e Joe Biden për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan.
Fotografia e shkrepur tek shkallët brenda pallatit të Eisenhower kishte nxitur një debat të madh në Kosovë. Kishte raportime të shumta për realizimin e fotografisë me Sullivan tek shkallët dhe për atë se si Kurti nuk u prit në Shtëpinë e Bardhë por tek pallati Eisenhower që është në kuadër të kompleksi të Shtëpisë së Bardhë.
Pas gjithë përpjekjeve dhe komentimeve e debateve, më në fund kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do ta ketë mundësinë për t’u ulur në një tavolinë me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, e për të biseduar gjerë e gjatë.
Bashkë me Presidenten Osmani, Kurti ka udhëtuar drejt Washingtonit. Të dy do të marrin pjesë edhe në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në, dhe do të takohen me kreun e Departamentit të Shtetit.
Nga Qeveria dhe Presidenca kanë dhënë njoftime për takimin me Blinken, derisa si çështje diskutimi s’e kanë përmendur fare procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Letra e Blinken e dërguar në muajin janar 2022 për kryeministrin Albin Kurti, lë të kuptohet që një prej temave bosht të këtij takimi do të jetë procesi i negociatave dhe progresi i bërë.
Në këtë takim me Blinken në Washington, Kurti shkon me marrëveshjen për energjinë në veri në xhep, edhe përkundër faktit se ende s’po zbatohet, por pa marrëveshje për të gjeturit, e cila është në prag të finalizimit por që ka mospajtime për disa çështje. Serbia nuk pajtohet që në marrëveshje të përfshihet fraza “të zhdukur me dhunë”, gjë për të cilën insiston Kosova.
Ndryshe, shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz e kishte takuar Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, gjatë qëndrimit në “Summit of the Americas” në Los Angeles në qershorin e këtij viti.