FFK e emëron Afrim Tovërlanin përzgjedhës të Kombëtares U21

FFK e emëron Afrim Tovërlanin përzgjedhës të Kombëtares U21

Afrim Tovërlani është emëruar përzgjedhës i ri i Kombëtares së Kosovës U21. Një vendim i tillë është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, i cili ka mbajtur mbledhjen e radhës gjatë ditës së sotme, njofton faqja zyrtare e FFK-së.

“KE shqyrtoi ecurinë e ekipeve kombëtare dhe në këtë drejtim mori vendim që për përzgjedhës të Kombëtares U21 të emërojë futbollistin e spikatur dhe trajnerin më të trofeshëm në futbollin e Kosovës, Afrim Tovërlani. Po ashtu KE mori vendim që të bëhet riorganizimi i trajnerëve për ekipet kombëtare të femrave për të gjitha grup moshat”, thuhet në komunikatën pas kësaj mbledhjeje.  Tutje thuhet se KE analizoi përgatitjet për edicionin e ri të garave 2022/23.

“Komisionet dhe organet kanë marrë të gjithë hapat e nevojshëm për fillimin sa më të mirë të garave dhe me një dinamikë në përputhje edhe me fillimin e Kampionatit Botëror Katari 2022. Po ashtu Komisioni i Gjyqtarëve me mbështetje të ekspertëve nga FIFA kanë mbajtur seminarin për gjyqtarë. KE është plotësisht i vetëdijshëm se rrethanat ekonomike nuk janë në favorin e klubeve ndaj në këtë drejtim do të ndërmarrë masat e duhura për t’i ndihmuar klubet për përballimin e gjendjes. KE konstatoi se afati kalimtar por rrjedhë normalisht, sikur që FFK-ja tashmë për sistemin VAR sa i përket resurseve njerëzore është plotësisht e gatshme që ta zbatojë atë edhe në Ligën e Parë”, thuhet tutje në njoftim.

KE diskutoi edhe për gjendjen e fushave sportive dhe vazhdimisht po punon në përmirësimin e infrastrukturës. KE shqyrtoi edhe hartimin e strategjisë  si dhe ndryshimin e plotësimin e Rregulloreve dhe akteve tjera të FFK-së.

KE mori vendim që të vazhdohet me punët në selinë e FFK-së, në Kampin Edukativ në Hajvali dhe rifillimin e punime në Kampin Nacional në Obiliq, po edhe për vazhdimin e projekteve sipas memorandumeve me komunat e Kosovës si dhe me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës sportive.

Related Articles