Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, gjatë një konference për media të premten e ka akuzuar qeverinë Kurti për korrupsion. Ai tha se ish-zyrtari i Ministrisë së Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi dhe zëvendësministri i kësaj ministrie, Hyseni Durmishi i kanë nënshkruar katër kontrata në vlerë prej qindra mijë euro. Pas deklaratës së Berishës, ka reaguar Durmishi.
“Si ka mundësi që zyrtari i shkarkuar të nënshkruajë kontrata me vlerë qindra mijë euroshe, për derisa ishte i shkarkuar”, u shpreh Berisha, derisa i tha Kurtit që “meshqit” e tij janë aktiv vetëm për dallaveret me tenderë.
Pas kësaj deklarate, e shpejtë ka qenë përgjigja e zëvendësministrit të MI-së, Hysen Durmishi.
Në një postim në Facebook, Durmishi tha se me ligj zv/ministri nuk nënshkruan kontrata nën vlerën 500 mijë euro dhe se kontratat për të cilat foli Berisha, kanë vlerën e 12 milionë eurove.
Madje, Durmishi e ka përqeshur Berishën duke thënë “ja kish dhënë dikush do letra Bekë Berishës e ky i shkreti nuk dinte as me i lexu”.
“Nuk i kam nënshkru katër kontrata në vlerë rreth 400 mijë euro o Bekë Berisha sepse me ligj zv. Ministri nuk nënshkruan kontrata nën vlerën 500 mijë euro. Ato katër kontrata që po i përmend ti e kanë vlerën 12 milion euro. I kishim të planifikuara 16.5 milion euro për mirëmbajtjen e autoudhëve dhe arritëm që të nënshkruajmë kontrata për vetëm 12 milion euro. Ky do të duhej të ishte lajmi në fakt. Nuk ka me vjedhë më Bekë. Boll keni vjedhë Bekë Berisha”, ka shkruar Durmishi.