Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për media pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka thënë se kjo e fundit qëndron përherë aleat i Kosovës, sidomos kur bëhet fjalë për investime strategjike.
“Partneriteti ynë ka qenë dhe mbetet ekzistencial në tërë historinë tonë e edhe sot kur Kosova po bën hapa vendimtar për të forcuar ekonominë dhe demokracinë e saj”, tha ajo.
Osmani ka treguar se kanë marrë përkrahjen e plotë të sekretarit amerikan, Anthony Blinken edhe për reformat që Kosova po i zhvillon.
“Jemi me fat që kemi mbështetjen e pakursyer të aleatit tonë në botë”, është shprehur Osmani.
Osmani tha se në takim kanë diskutuar një sërë temash, ndër të cilat edhe fuqizimi i partneritetit ndërkombëtar të Kosovës.
“Me fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Shumica dërmuese e njohjeve që i ka Kosova janë për shkak të SHBA-së. Kemi diskutuar si mund të forcohet pozicioni ndërkombëtar i Kosovës që Kosova të anëtarësohet në organizata të tjera ndërkombëtare me ndihmën e SHBA-së”, u shpreh Osmani.
Osmani tha se kanë kërkuar përkrahje nga SHBA-ja edhe në fushën e sigurisë.
“Nuk flitet më vetëm për integrimin euroatlantik të Kosovës, por anëtarësimin ndërkombëtar. Kemi kërkuar përkrahje në fushën e sigurisë, për anëtarësim në Partneritetin për Paqe, sidomos tani kur siguria në rajon tani është e brishtë”, u shpreh Osmani.
Ajo tha se vizita atje ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që në fokus kishte thellimin e marrëdhënieve bilaterale.
Osmani tha se milionat që dolën nga marrëveshja me MCC-në është investimi më i madh që Kosova ka pranuar nga SHBA në sektorin energjetik, duke thënë se SHBA po e ndihmon Kosovën në sektorët më të rëndësishëm.
Presidentja listoi temat që kanë folur në takimin me Blinken.
“E para ishte për fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Shumica dërrmuese e njohjeve dhe antërsimeve në masë të madhe janë edhe me përkrahjen e SHBA-së. Kemi diskutuar në esencë se si mund të forcohet pozicioni i Kosovës dhe si mund të rritet numri i njohjeve. Personalisht, Blinken, por edhe Biden, kanë qenë edhe në të kaluarën investues. Blinken është shumë i informuar se ku mund të punohet më shumë që Kosova të vazhdojë jetë storie suksesi. Kemi përkrahjen e SHBA që të bëhen hapa konkretë”.
Osmani tha se si temë e dytë ishte rreziku nga ndikimi rus në rajon dhe tha se kanë sqaruar pse është e rëndësishme për rajonin tonë që intencave ruse, për të cilat tha se janë historike që ta destabilizojë kontinentin europian, “kemi marrë përkrahjen e Blinken që të mos lejojë që këto qëllime të Rusisë të kenë sukses”.
Po ashtu, tema e dialogut, të cilin e përmendi edhe vetë Blinken, ishte ndër temat më të rëndësishme të diskutuara.
“U rikonfirmua që procesi të përqendrohet në njohje reciproke dhe kemi shprehur qëndrimet tona dhe e kemi informuar se ku qëndrojmë, p.sh për energjinë, me fazën e implementimit dhe çështje të tjera. Është rikonfirmuar qëndrimi amerikan që assesi nuk shtyn përpara një çështje që do ta prekte sovranitetin dhe rregullimin kushtetues të Kosovës”.