Kryeministri Kurti thotë se s’ka marr ftesë nga Borrelli për takimin me Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ende nuk ka marr ftesë nga kryediplomati evropian, Josep Borrell, për takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Në konferencën e përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla për zhvillimet në veri, kreu i qeverisë kosovare, tha se me Vuçiqin është dashur të takohen më 19 korrik, takim për të cilin Kurti tha se e shtyu presidenti serb.

“Me presidentin Vuçiq është dashur të takohemi më 19 korrik, por ai ka kërkuar të shtyhet ai takim për fund të muajit gusht. Mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ndodhi dje, sepse ne është dashur të takohemi më 19 korrik. Unë kam shprehur gatishmërinë time që kur të na thërret,Josep Borrell, do të shkoj në Bruksel”.

“Një ftesë të tillë deri në këto momente nuk e kemi, në momentin që do ta kemi do ta bëjmë publike dhe do të shprehim qëndrimin tonë”.

“Ne jemi për dialog të përgatitur mirë, parimor, të balancuar drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë të përqëndruar në njohje reciproke. Pra, gatishmëria nga ana jonë ekziston”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Kurti poashtu tha se me organet e rendit e të sigurisë dhe partnerët e Kosovës, nuk do të lejojnë destabilizimin e shtetit.

“Bandat kriminale janë jashte ligjit dhe konflikti është strehë për ta. Ne disa gjëra mund t’i parashikojmë, disa jo, sepse ka edhe gjëra të tilla që nuk aplikohen në Kosovë, por vetëm ekzekutohen në Kosovë. Por, me organet e rendit dhe të sigurisë me bashkëpunimin tonë me partnerët tanë, besoj që nuk do të lejojmë destabilizimin e Kosovës dhe cenimin e paqes e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim mbi baza etnike”.

“Ne e kemi vullnetin e mirë, a do të ketë zhvillime agresive e të dhunshme në veri të Kosovës, kjo nuk varet as nga policia, as nga ministri i Brendshëm, as nga kryeministri, unë do të thosha që as nga qytetarët atje, por varet nga strukturat që po financohen nga Beogradi dhe po nxiten prej tij për të bërë trazira në Kosovë”, tha kryeministri.

Related Articles