Republika e Kosovës jo rrallëherë ka aplikuar masa reciprociteti ndaj shtetit të Serbisë.
Vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për targat dhe dokumentet serbe, janë në mesin e disa masave që ka aplikuar Kosova që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.
Masën e parë të reciprocitetit ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar në korrik të vitit 2011.
Kjo masë në atë kohë ishte marrë nga ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, pasi që Serbia për tre vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, kishte bllokuar mallrat nga Kosova, për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.
Produktet me këtë vulë, nga dhjetori i vitit 2008, nuk janë lejuar as transit të kalojnë nëpër shtetin e Serbisë, pasi që ky shtet nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Parimi i reciprocitetit filloi të zbatohet në të gjitha pikat kufitare.
Por, gjendja ishte tensionuar më shumë në pjesën veriore të Kosovës, rajon ky i banuar me shumicë serbe, konkretisht në pikat kufitare 1 dhe 31, që gjenden në Jarinjë dhe Bërnjak.
Këto pika, madje, janë djegur nga serbët lokalë në vitin 2008, si hakmarrje ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Masa e reciprocitetit e parë e reciprocitetit nuk zgjati më shumë se 40 ditë, pasi gjatë bisedimeve të zhvilluara në Bruksel, ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, ishte arritur marrëveshje për njohje reciproke të vulave.