Anëtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se është hipotezë e gabuar të mendohet se Jusuf Gërvalla do të drejtonte një lëvizje siç ishte LPK-ja, kjo pasi profesori i filozofisë politike, Blerim Latifi tha se po të ishte gjallë, Jusuf Gërvalla do të ishte kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Tërmkolli ka shkruar se formimi i Jusuf Gërvallës prej intelektuali dëshmojnë se ai ishte një njëri me shpirt të lirë dhe jo rob i ideologjive komuniste.
“Është hipotezë e gabuar dhe guxim i tepruar të thuhet se, nëse Jusuf Gërvalla do t’i mbijetonte atentatit të UDB-së, do të ishte në krye të kësaj apo asaj lëvizje a partie. Formimi i Jusuf Gërvallës prej intelektuali të shquar të kohës, jeta e veprimi i tij politik, dëshmojnë për një personalitet të formuar kombëtarisht e me shpirt të lirë. Njeriu me shpirt të lirë nuk mund të jetë rob i ideologjive e aq më pak i ideologjive e diktaturave si ajo komuniste enveriste”, ka shkruar Tërmkolli.