Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti turk Tajip Erdogan ranë dakord të premten në Soçi të rrisin bashkëpunimin në industrinë e transportit, bujqësisë, financës dhe ndërtimit, thuhej në një deklaratë të përbashkët pas një takimi që zgjati katër orë. Turqia ndërmjetësoi një marrëveshje të nënshkruar nga Ukraina, Rusia dhe Kombet e Bashkuara në Stamboll muajin e kaluar, marrëveshje që mundësoi rifillimin pas disa muajsh bllokimi për shkak të luftës, të eksporteve të grurit ukrainas nga portet që kanë dalje në Detit e Zi.
Në deklaratë, Putin-Erdogan theksuan nevojën për “zbatimin e plotë të marrëveshjes së Stambollit, duke përfshirë eksportin papengesa të drithërave, plehrave dhe lëndëve të para që përdoren për prodhimin e tyre”. Të dy udhëheqësit ranë dakord gjithashtu që pjesë të pagesave për gazin rus, të bëhen në rubla, u tha gazetarëve zëvendëskryeministri rus Alexander Novak pas bisedimeve.
Të dy udhëheqësit “riafirmuan vendosmërinë e tyre për të vepruar në koordinim dhe solidaritet kundër të gjitha organizatave terroriste” në Siri.Ankaraja ka kryer operacione të shumta në veri të Sirisë që nga viti 2016, duke marrë kontrollin e qindra kilometra tokë dhe duke vendosur në shënjestër milicinë kurde YPG, pavarësisht kundërshtimit të Moskës.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai turk Tajip Erdogan u takuan për herë të dytë në pak më shumë se dy javë, pasi Turqia ndihmoi për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për të rifilluar eksportet e grurit ukrainas përmes Detit të Zi. Mbështetësit e Presidentit Erdogan thonë se marrëveshja, e cila mund të frenojë çmimet e larta të ushqimeve në nivel global, thekson rëndësinë e kontakteve diplomatike të Turqisë anëtare të NATO-s, me të dyja palët.
Edhe pse Turqia e ka kritikuar sulmin e Moskës dhe ka mbështetur me armë Ukrainën, ndryshe nga aleatët perëndimorë ajo nuk i ka vendosur sanksione Rusisë.
Ky ekuilibër i kujdesshëm pasqyron kompleksitetin e lidhjeve të saj me Rusinë, duke filluar nga bashkëpunimi i ngushtë në furnizimin me energji, e deri tek konkurrenca ushtarake në Siri, Libi dhe Azerbajxhan. Disa ditë pasi presidentët Putin dhe Erdogan u takuan në Teheran, Turqia mbikëqyri një marrëveshje për rifillimin e eksporteve ukrainase të grurit. Turqia varet shumë nga Rusia dhe Ukraina për grurin. Për vitin 2021 Turqia siguronte 56% të importeve të grurit nga Rusia ose 2.24 miliardë dollarë, ndërsa importet nga Ukraina arritën në 861 milionë dollarë./VOA