Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për protestat dhe bllokimin e rrugëve nga serbët në veri, të dielën që lëm pas. I pari i qeverisë tha se Serbia ka dy muaj kohë t’i ndërrojë targat e Millosheviqit.
Nga kjo ngjarje, Kurti theksoi se bllokada e rrugëve nuk ka qenë spotane, por sipas tij e organizuar nga Beogradi me ndihmën e Rusisë.
“Konvertimi i targave të futura nga Millosheviqi është vendim i qeverisë sime. Ata kanë dy muaj. E njëjta gjë vlen edhe për dokumentet: të dielën, për ato pak orë që ka qenë në fuqi, në pikat kufitare që kanë mbetur të hapura kanë dhanë 2679 dokumente pa incidente. Prandaj u desh të thërrisnin dikë për barrikada: protesta nuk u ngrit spontanisht nga poshtë, ajo u organizua nga Beogradi dhe u mbështet nga Rusia”, u shpreh Kurti.
Mes tjerash, Kurti ka thënë se rreziku për një konflikt në Kosovë ekziston pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
“Nuk dua të them shumë i lartë, edhe sepse ne kemi kontigjentin e NATO-s këtu, por sigurisht i lartë. Ne jemi një demokraci në kufi me një autokraci, në fund të fundit. Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të pakta, tani situata ka ndryshuar”.
“Episodi i parë, pasojë e idesë fashiste të pansllavizmit që ka Kremlini, ishte Ukraina. Nëse kemi një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë gjasat që një luftë e tretë të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, dhe në Kosovë në veçanti, ato do të jenë shumë të larta”, ka thënë Kurti.
I pyetur mbi manovrat ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën, Kurti tha se janë 48 baza ushtarake serbe të ngritura nga Serbia.
“Vitin e kaluar ata planifikuan 91 stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe bënë 104. Dy më të rëndësishmet quhen Mburoja Sllave dhe Vëllazëria Sllave. Që nga gushti 2001, Serbia ka ngritur 48 baza operative përpara, 28 ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë. Veteranët serbë janë bërë të gjithë pro Rusisë. Si për të thënë: rreziku ekziston dhe ne e paralajmërojmë atë”, u shpreh ai.
Duke folur për bllokadën e rrugëve të dielën që shkoi, kryeministri Kurti tha se njerëzit në bllokada punojnë në strukturat ilegale në veri të Kosovës dhe paguhen nga Beogradi.
“Prokurori po shikon videot e postuara në rrjetet sociale. Ata ishin persona në listën e pagave të Beogradit, të cilët punojnë në strukturat ilegale në veri të Kosovës. Disa prej tyre ishin vërtet kriminelë, pasi vitin e kaluar përfunduan në listën e zezë të Departamentit të Thesarit të ShBA-së”.
“I referohem Radoiçiqit dhe Veselinoviqit. Ishte deja vu: ajo metodë është përdorur nga serbët në fillim të viteve 90-të gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Por Kosova tani është një vend demokratik, ata mund të bëjnë shumë pak. Ata janë të frustruar sepse ekonomia jonë, edhe pse nuk na njohin si shtet, ajo po lulëzon”, tha Kurti.
Ai ka thënë poashtu se anëtarësimi i Kosovës në NATO e ndihmon paqen në rajon kur është pyetur nëse do të krijonte tensione me Serbinë, futja e Kosovës në NATO.
“E kundërta është e vërtetë. Partneriteti ynë me Programin e Paqes dhe anëtarësimi në NATO do të ndihmojë në ruajtjen e një paqeje të qëndrueshme. Orientimi ynë është transparent. Dhe bazohet në vlerat euro-atlantike”, ka thënë Kurti.