Kryeministri Albin Kurti duke komentuar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që pritet të mbahet më 18 gusht në Bruksel, ka thënë se dialogu duhet të jetë për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, për normalizim të plotë me njohje reciproke.
Kurti i bëri këto komente pas një aktiviteti të Kuvendit për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.
“Kam gatishmëri dhe interesim që dialogu në Bruksel bisedimet aty përveç se të jenë parimore dhe përmbajtjesore në të njëjtën kohë të mos jetë dialog për dialog por dialog për marrëveshje ligjërisht e obligueshme, për normalizim të plotë me njohje reciproke më qeveri. Por ju duhet ta kuptoni që marrëveshja bëhet me palën tjetër dhe në këtë rast varet nga pala tjetër a do të ketë marrëveshje, ndërsa sa më përket mua gatishmëria dhe interesimi janë të padiskutueshme dhe të palëkundshme,” ka thënë kryeministri.
Siç bën të ditur Kp, ai shtoi se reciprociteti është veprim i shëndosh dhe normal i marrëdhënieve të mira fqinjësore.
“Ne po i marrim vendimet sovrane por unë e kam thënë edhe në takimin e 15 qershorit të vitit të kaluar, edhe në 19 korrik të vitit të kaluar, se marrëveshja është e qëndrueshme dhe e zbatueshme kur ka parime të shëndetshme brenda, reciprociteti është veprim i shëndosh dhe normal i marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka shtuar ai.