Një person ka vdekur dhe të paktën 40 të tjerë janë lënduar, kur erërat e forta shkaktuan shembjen e pjesëve të një skene në një festival në Spanjë.
Pamjet treguan disa pjesëmarrës të festivalit duke vrapuar në panik, ndërsa të tjerë shihen duke vazhduar të festojnë.
Festivali i njohur i muzikës elektronike, i cili do të vazhdonte deri të dielën, tani është pezulluar.
Tre nga të plagosurit në orët e para të së shtunës pësuan trauma të rënda, thanë shërbimet rajonale të urgjencës.
Dëshmitarët okularë folën për një stuhi rëre të papritur që goditi vendin e festivalit.
Agjencia meteorologjike e Spanjës raportoi për shpërthime erërash që tejkalonin 80 km/h në rajonin bregdetar lindor të vendit në atë kohë.
“Jemi në gjendje shoku”, tha një nga të pranishmit për mediat spanjolle. “Mund të isha unë, mund të ishte kushdo”.
Në një deklaratë në Facebook, organizatorët e festivalit thanë se ishin “të shkatërruar dhe të pikëlluar për atë që ndodhi këtë mëngjes”.
Ata thanë se “erërat e forta të papritura dhe të dhunshme” rreth orës 04:00 me orën lokale kishin shkaktuar dëme në infrastrukturën në vend dhe u mor menjëherë një vendim për të liruar zonën.