Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk ka koment për njoftimin e djeshëm të Bashkimit Evropian, që ka shprehur shqetësimin për “rritje të retorikës nxitëse mes zyrtarëve të Beogradit dhe Prishtinës”.
“Sa i përket reagimit të BE-së, nuk kam asnjë koment, kjo është më e mira”, tha ai.
Kreu i shtetit serb shtoi se do të shkojë në Bruksel për siç tha “të ruajtur paqen dhe stabilitetin sepse, siç thotë ai, “ky është qëllimi ynë i vetëm”.
Vuçiq deklaroi se nuk e di se çfarë të presë sa i përket temave të diskutimit në Bruksel, por se janë të gatshëm të bisedojnë për gjithçka.
“Ne nuk kemi problem me temat, duam të flasim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por jo të flasim duke na thënë se ne mund të blejmë ngjitësa dhe t’i vendosim futbollistët në albume dhe të prodhojmë ambalazhe për çamçakëz dhe se dikush na thotë se Asociacioni duhet të jetë në në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, atëherë ne nuk kemi nevojë për Asociacion, atëherë çdo qytetar mund të themelojë një Asociacion të tillë në baza ditore”.
“Kuptohej që këto kompetenca do të ishin shumë më të mëdha dhe më të gjera dhe për këtë arsye ne negociuam”, shtoi Vuçiq, raporton Kosovo Online.
Ai shtoi se ata nuk janë të interesuar për Kushtetutën e Serbisë dhe siç tha “e pse ne të interesohemi për Kushtetutën e tyre”.
“Ne e kemi të qartë se çfarë është negociuar dhe si është negociuar dhe se po ecim përpara në atë drejtim”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka theksuar se nuk dëshiron të komentojë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe politikën e brendshme të Kosovës.
“Unë nuk jam si ata që merren me të gjitha çështjet e mundshme, dhe situata me rrymën është e vështirë, shpresoj që ata të mos kenë nevojë të fikin rrymën, nuk e dua këtë për ta, kjo do të ishte keq për ta. dhe për ne, për të gjithë njerëzit që jetojnë”, shtoi presidenti serb.