Ardita Sinani, kandidate për kryetare të komunës së Preshevës nga koalicioni PDSH-PVD-LR dhe UDSH që nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen për qeverisjen e ardhshme komunale u shpreh se së bashku do ta ndërtojmë Preshevën e Re.
Të hënën më 10 maj është ftuar seaca konstituve e kuvendit komunal në Preshevë, ka shkruar ne rrjete sociale Ardita Sinani, kandidate për kryetare të komunës Preshevës.
Postimi i plotë në Facebook nga Ardita Sinani:
Të nderuar qytetarë të Komunës së Preshevës,
Sot, pas disa javësh negociatash, në emër të Partisë për Veprim Demokratik, firmosa marrëveshjen për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike Shqiptare, Lëvizjen për Reforma dhe Unionin Demokratik Shqiptar.
Ky koalicion i ish-partive opozitare shqiptare ishte vullnet i shumicës prej jush, të cilët votuat në zgjedhjet e fundit lokale në Komunën e Preshevës, duke e kërkuar në opozitë ish-pushtetin e Alternativës për Ndryshim dhe Listës Serbe.
Ky vullnet i juaj popullor ishte arsyeja kryesore dhe parësore që na bashkoi, megjithë dallimet që kemi si subjekte të veçanta politike.
Nga sot, komuna jonë nuk varet nga gishtat e telekomanduara nga Beogradi në Kuvendin e Preshevës. Sot, kjo është fitore e rëndësishme për komunën tonë.
Nga sot, komuna jonë çlirohet nga ndikimi i drejtëpërdrejtë i Listës Serbe të Beogradit. Kjo është fitore e rëndësishme për lirinë dhe barazinë tonë të nesërme.
Të dashur bashkëvendas,
Edhe një herë çliruat komunën tonë nga ndikimi i drejtëpërdrejtë të partisë në pushtet të Beogradit diskriminues dhe shtypës. Kjo falë rezistencës, mobilizimit dhe angazhimit tuaj si qytetarë. Sikurse në vitet ’90, edhe kësaj herë mundësuat që komuna jonë të qeveriset nga qytetarët e saj, e jo nga Beogradi dhe satelitët e tij në Preshevë.
Prandaj e ndjejë edhe më shumë si nderë dhe përgjegjësi ta drejtoj këtë bashkëqeverisje në dy vitet e ardhshme.
Jam e vetëdijshme se problemet janë të shumta. Se kemi shumë punë para nesh.
Por jam edhe krenare të jem përfaqësuese dhe në shërbim të qytetarëve që e duan Preshevën e lirë. Një Preshevë ku ka vend për të gjithë, pa dallim etnie, feje, ngjyre dhe gjinie. Një Preshevë e të gjithëve. Një Preshevë që qeveriset nga preshevarët pa ndikime nga jashtë!
Së bashku do ta ndërtojmë Preshevën e Re. Preshevën që njeh historinë e saj. Preshevën që vlerëson kontributin atdhedashës të brezave paraprak. Preshevën që nderon dhe ec drejt jetësimit të idealeve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës. Preshevën që modernizohet dhe zhvillohet edhe për nevojat e rinisë së saj. Preshevën e integruar dhe të paizoluar.
Vërtetë ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri. Por nga sot fillojnë reformat. Dhe kthim prapa nuk ka.
Bashkë do ta bëjmë Preshevën!
Se Unë Jom me Preshevën
Ju faleminderit! See Less