Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë proceduar në konsultime paraprake projektligji për pagat në sektorin publik dhe projektligji për zyrtarët publikë, raporton Gazeta Enigma.
Sveçla tutje theksoi se projektligji për pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Kosovës.
“Projektligji, përmes sistemit të pagave synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës. Ky projektligj ngre sistemin e pagave mbi parime të afirmuara nga praktikat më të mira të kësaj fushe edhe ndërkombëtarisht”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ligji i ri për pagat në sektorin publik, i cili është tashmë është publikuar ku të gjithë zyrtarëve do t’u ndryshohet rroga, nuk u prit mirë nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, për Gazetën Enigma theksoi se ky ligj pa vlerë të koeficientit nuk mund të funksionojë.
“Unë po çuditëm se ku i gjejnë këto vlera të koeficientit, ky ligj pa vlera të koeficientit nuk mund të funksionojë. Është koha që të vendosen standarde”, u shpreh Syla.
Syla theksoi se është e padrejtë përderisa një mjek i mjekësisë terciare paguhet si ai mjek që i përket mjekësisë sekondare e primare.
“Klasifikimi nuk është siç paraqitet në bazë të profileve, sepse nuk mund të paguhet një mjek që është në mjekësinë terciare si ai mjek që është në atë sekondare e primare, duhet të vendosen një here e përgjithmonë standard”, theksoi Syla.
Sipas tij problem tjetër është se infermierët janë lënë pas dore, pasi që me ligjin e fundit për paga ata do të paguhen më pak se fizioterapeutët. Kjo është arsyeja që Syla e kundërshton këtë ligj dhe nuk përjashtohet mundësia për grevë.
“Problem tjetër lidhet me infermierët, ky ligj më shumë I paguan fizioterapeutët sesa infermierët e tjerë, si i tillë ky ligj lë për të dëshiruar dhe duhet të bisedohet me sindikatat, e pastaj të vendoset se a do të ketë grevë apo jo”, përfundoi Syla.
Gazeta Enigma gjithashtu ka kontaktuar edhe me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i cili deklaroi se kërkesat e sektorit privat i janë adresuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por që ky I fundit nuk është marrë me ta.
“Diçka që na takon me ligj dhe marrëveshje kolektive për ligjin e pagave për shendeti e sigurinë në punë, pra çdo e drejtë qe i takon punëtorit të sektorit privat të Kosovës, ia kemi adresu kryeministrit të gjitha këto kërkesat tona, në fushata ai ka premtu se do t’i realizojë, nga 8 kërkesat e adresuara nuk janë realizuar asnjë deri tani. Momentalisht as nuk është duke u marrë me këtë çështje.”, tha Azemi.
Azemi ndër të tjera tha se nuk ka dallim asgjë nga Qeveritë e mëhershme.
“Asgjë nuk ka ndryshuar nga qeveritë e mëhershme”.
Dhe dialogun me Qeverinë Kurti e ka cilësuar si më të dobëtin që nga paslufta.
“Dialogu më i dobët prej pas luftës është dialogu me këtë Qeveri”, përfundoi Azemi për Enigmën.
Ligji për zyrtarët publikë pati hyrë në fuqi më 12 shtator të vitit 2019, por më 19 nëntor, Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020.
Me këtë ligj rregullohet marrëdhënia juridike ndërmjet shtetit dhe zyrtarëve publikë. Zyrtarë publikë janë: nëpunësi i Shërbimit Civil, nëpunësi i Shërbimit Publik, nëpunësi i Kabinetit, nëpunësi administrativ dhe mbështetës. /GAZETAENIGMA/