“Usyk – Joshua 2”, kush do ta fitojë rimeçin e shumëpritur?

“Usyk – Joshua 2”, kush do ta fitojë rimeçin e shumëpritur?

Ndër vite ka pasur boksierë që nuk janë vlerësuar kurrë sa e meritojnë. Që nuk marrin njohjen e merituar për arritjet dhe aftësitë që i kanë.

Anthony Joshua ka qenë prej kohësh një prej tyre. Ai ka fituar tituj të botës në kategorinë e rëndë, por gjithnjë ka pasur një, “po, por” që e ka përcjellë.

Joshua nuk është në mesin e dhjetë boksierëve më të mëdhenj të kategorisë së rëndë të të gjitha kohërave. Por ai është 32-vjeçar dhe ka edhe disa vjet karrierë, nëse vendos për të mbetur në boks.

Nëse Joshua e mposht kampionin Oleksandr Usyk të shtunën në Jeddah të Arabisë Saudite, në luftën e tyre për titull të kampionit në versionet IBF, WBA dhe WBO dhe më pas e mposht kampionin në WBC, Tyson Fury, dhe kështu i unifikon titujt, opinionet do të ndryshojnë shpejt.

Por Joshua ka humbur dy herë kur ishte favorit i madh dhe kjo e ka frenuar shumë përpjekjen e tij për t’u kthyer në majë të boksit. Ai mbahet mend për humbjet e tij, po aq sa për fitoret që i ka arritur.

Britaniku Joshua ka angazhuar dy trajnerë për ta përgatitur për meçin e jetës. Ai e ka liruar Rob McCrackenin, që e ka stërvitur për medaljen e artë olimpike në vitin 2012 dhe për dy tituj të botës në profesionalizëm, ndërsa ka angazhuar Robert Garcian dhe Angel Fernandezin.

Garcia është një prej trajnerëve elitarë në botë dhe njihet për punën që e bën me boksierët veteranë, për të cilët shumë mendojnë se i kanë kaluar ditët më të mira. Garcia e ka aftësinë për ta nxjerrë më të mirën nga këta boksierë, që janë në situatë të ngjashme me Joshuan.

“A jam zgjedhur (për të stërvitur boksierë veteranë që kishin nevojë për rifillim në karrierën e tyre) më parë? Po”, ka thënë Garcia.

“Mund të shkruaj një listë të boksierëve që ishin drejt fundit të karrierës dhe më pas kanë ardhur tek unë. Unë i kam kthyer te fitoret e mëdha, luftërat e mëdha. Disa madje janë bërë kampionë, ndonëse të gjithë mendonin se koha e tyre është kryer. Më pëlqejnë këto sfida”.

Është sfidë e jashtëzakonshme për Joshuan, që për herë të parë në karrierë është autsajder, sipas bastvënësve.

Ukrainasi Usyk është boksier elitar me punë të shkëlqyeshme të këmbëve. Por në paraqitjet publike në Jeddah, ai është dukur më i shëndoshë. Por menaxheri, Egis Klimas, është shprehur shumë i kënaqur me formën e Usykut.

“Nuk kam parë askënd që në një mot kaq të nxehtë të ngasë biçikletën për 60 milje. Unë nuk kam parë kurrë askënd duke notuar një ditë para konferencës në Londër për 6.2 milje në pishinë brenda pesë orëve. Nuk kam parë askënd që ta mbajë frymën nën ujë për katër minuta e dyzetë sekonda. Shpresoj se e gjithë kjo do ta ndihmojë Usykun të shtunën mbrëma”.

Nëse Usyk është në gjendjen në të cilën Klimas e ka paraqitur, muskujt që ka shtuar përfundimisht do t’i ndihmojnë në duelin e së shtunës mbrëma.

Kjo paraqet sfidë interesante për Garcian. Ai ka qenë këmbëngulës që Joshua ta kërkojë nokautin. Por duke i bërë presion ukrainasit, që është më i shpejtë dhe me këmbë më të mira, Joshua mund të hapet më shumë se që duhet dhe të rrezikohet.

Padyshim që Joshua duhet ta imponojë mënyrën e tij të boksit. Por ai nuk mund ta bëjë këtë vetëm duke zgjatur të djathtën. Ai duhet të godasë shpesh. Goditjet në trup dhe më pas në kokë do të ishin mënyrë e mirë për të filluar.

E rëndësishme është që Joshua të besojë. Atij nuk i është dhënë ndoshta respekti që e meriton edhe për faktin se nuk ka besuar plotësisht në aftësitë që i ka.

“Është gjëja kryesore, ai duhet të besojë në vete”, tha Garcia për Sky.

“Joshua duhet ta dijë që ka gjithçka për ta mposhtur Usykun. Nuk po them se Usyk është kundërshtar që mposhtet lehtë. Jo. Ai është shumë, shumë i vështirë. Ai është shumë i mençur brenda ringut”, thotë trajneri i Joshuas.

Ky ndoshta është çelësi në këtë luftë. Usyk nuk është vetëm i shpejtë dhe i shkathët. Apo vetëm boksier i shkëlqyer që ka ndjenjë të shkëlqyer të distancës dhe kohës. Ai është edhe i zgjuar dhe mund të përshtatet në luftë.

Ukrainasi boksoi shkëlqyeshëm në luftën e parë me Joshuan dhe beson se mund të paraqitet po aq mirë në revansh. Nga kampi i Usykut kanë treguar për punën e madhe që është bërë në kampin përgatitor në tre muajt e fundit.

Pra dy boksierët pritet të jenë në formën më të mirë. Por Usyk beson se mençuria e tij në ring do ta bëjë dallimin.

Joshua është kundërshtar elitar, me forcë, atletizëm dhe kombinime të hatashme. Usyk mund t’i bëjë të gjitha mirë dhe të humbë sërish. Joshua mund të përfitojë nga një gabim shumë i vogël.

“Ne mësuam nga njëri-tjetri në luftën e parë dhe ky është një vazhdim. Rundi i parë të shtunën do të jetë rundi i 13-të i përballjes sonë”, thotë Usyk.

Joshua pritet të jetë në formën më të mirë, por të njëjtën gjë duhet ta presim edhe nga Usyk. Shumë presin që Usyk të fitojë me pikë. Por mos u befasoni nëse lufta përfundon para kohe.

Më 25 shtator të vitit të kaluar në stadiumin e Tottenhamit, Usyk mposhti Joshuan me vendim unanim dhe mori titujt e botës në versionet IBF, IBO, WBA dhe WBO. Joshua ka bilanc prej 24 fitoresh e dy humbje. Humbjen e parë ia kishte shkaktuar Andy Ruiz në qershor të vitit 2019. Ruizin e kishte mposhtur më pas në dhjetor të vitit 2019, për të kthyer titujt. Në dhjetorin e vitit 2020 kishte fituar edhe ndaj Kubrat Pulevit dhe tani kërkon fitoren ndaj Usykut.

Ukrainasi Usyk është i pandalshëm deri më tani. Ka 19 fitore, prej tyre 13 me ndërprerje.

Fituesi është vështirë të parashikohet. Por është e qartë se tifozët e boksit i pret një meç i madh.

Related Articles