Për shkarkimin e Qeverisë së Malit të Zi të udhëhequr nga Dritan Abazoviç, votuan 50 deputetë dhe vetëm një ishte kundër.
Paraprakisht Abazoviç, ka thënë se çështja është e thjesht, me votimin e sonte në seancën e parlamentit të Malit të Zi, do të merret një vendim: ose zhduket Dritan Abazoviç nga skena politike ose Milo Gjukanoviç.
“Sonte ose Dritan Abazoviç ose Milo Gjukanoviq të zhduken nga skena politike”, deklaroi Abazoviç.
“Duke qenë se unë jam shumë më i dobët politikisht, financiarisht në mënyrë të pakrahasueshme – këto janë dy botë, njerëz nga bota e krimit që nuk i kam dhe ai i ka, media që nuk i kam dhe ai i ka – ndoshta fituesi mund të dihet paraprakisht. Por kjo nuk do të thotë që nëse kam kontribuar pak, dikush tjetër nuk do të marrë pishtarin dhe do ta ndezë dritën plotësisht, kushdo që ta bëjë këtë, unë do të jem këtu ta përgëzoj. Ose do të largohet Milo Gjukanoviç ose Dritan Abazoviç, e pas tij edhe shumë të tjerë”.
“A shqetësohem për jetën time – nuk jam pa merak, por realisht nuk kam frikë”.
Iniciativa për mosbesimin ndaj qeverisë së Abazoviç-it është paraqitur nga 36 deputetë të DPS-së, Partisë Socialdemokrate, Partisë Liberale, Socialdemokratëve dhe disa partive të tjera, pak orë pasi Abazoviç nënshkroi Marrëveshjen/Kontratën Themelore me Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe. /Gazeta Enigma/