“Refuzimi i takimit me Vuçiqin i gabuar, temat e dialogut të koordinohen me opozitën”

“Refuzimi i takimit me Vuçiqin i gabuar, temat e dialogut të koordinohen me opozitën”

Refuzimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për pjesëmarrje në takimin në Brukesl me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e sheh si vendim të gabuar analistja politike, Donika Emini.

Kurti deklaroi më 28 prill, se nuk do të marrë pjesë në takimin e paralajmëruar për 11 maj nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve që Kosova ta vë si prioritet cështjen e dialogut me Serbinë.

Emini ka thënë se refuzimi i takimit të 11 majit nga Kurti, ka qenë eksplicit.

“Ka qenë një shkuarje në Bruksel ku është diskutua për elementet të cilat përveç takimeve tjera, ka pasur edhe elemente të dialogut Kosovë-Serbi si proces, ka me pasë edhe një takim tjetër. Normalisht që i duhet kohë, kurse refuzimi në mënyrë aq eksplicite nuk ka qenë hap i duhur po kjo ka qenë për përcaktimin e pozitës negociuese të Kosovës”.

“E përshëndes faktin që do të duhet të studion të gjitha marrëveshjet para se të kthehet të së paku në tavolinën e negociatave po shpresoj që ka me pasë një qasje konstruktive sepse çdo qasje jokonstruktive në dialog do të ishte edhe pikë negative për Kosovën, në raport me partnerët tanë strategjik por edhe ndaj një procesi të cilin megjithatë e kemi fillua në vitin 2011 dhe është ende duke vazhdu, dhe ka vazhdu sa herë janë ndërruar presidentët dhe kryeministrat e Kosovës”, është shprehur ajo.

Sipas Eminit kjo Qeveri duhet që në bashkëpunim me opozitën e vendit t’i caktojë temat dhe ta përkufizojë rrjedhjen e dialogut me Serbinë.

“Mbetet të shihet dhe shpresoj që kah fundit i qershorit ka me u kthyer në dialog dhe pastaj parimet e temat dhe rrjedhën e kufizimin kohor duhet ta caktojë së bashku me opozitën të cilën e ka paralajmëruar vetë Kurti si hapi i radhës në këtë drejtim. Ka shumë punë për të bërë, pozita e Kosovës në negociata nuk është ajo të cilën ajo të cilën Kurti apo Kosova do ta dëshironte mirëpo ka ende hapësirë që të mobilizohen partnerët tanë strategjik, si ShBA-ja në këtë rast e disa vende anëtare të BE-së në mënyrë që t’i rikthehet rrjedhja në favor të Kosovës”, ka shtuar ajo.

Related Articles