Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi pritën në takim dy emisarët e dërguar, Gabriel Escobar nga SHBA dhe Miroslav Lajçak nga Bashkimi Evropian.
“Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për tu angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë drejt një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke. Derisa marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, deri te marrëveshja, reciprocitetit duhet të jetë fryma e dialogut”.
Kryeministri Kurti falënderoi Escobar dhe Lajçak për angazhimin e tyre në shmangien e tensioneve të krijuar artificialisht nga ana e Serbisë dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Ndryshe, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, thanë të mërkurën se po bëjnë përpjekje që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e reciprocitetit në përdorimin e dokumenteve personale dhe targave të makinave, që do të shmangte tensionet në terren.