Qeveria zvicerane sapo ka çuar në parlament për miratim marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore mes Shqipërisë dhe Zvicrës.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili theksoi se “Këshilli Federal i Zvicrës, në mbledhjen e datës 24 gusht 2022, ka përcjellë për miratim në Parlament “Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore mes Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës”, e cila u firmos më 18 shkurt 2022, në Tiranë, nga Ministri për Punët e Brendshme të Zvicrës, Alain Berset dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë së RSH, Delina Ibrahimaj”.
Duke e cilësuar lajm të mirë, kreu i qeverisë u shpreh se “kjo marrëveshje mes Shqipërisë dhe Zvicrës synon kryesisht koordinimin për pensionin e pleqërisë, statusin e invaliditetit, të të mbijetuarit, garanton trajtim të barabartë të të siguruarve, disiplinon derdhjen e kontributeve jashtë vendit dhe eviton rastet e taksimit të dyfishtë apo abuzimeve”.
“Miratimi i marrëveshjes në parlamentet e dy vendeve, do të konkretizojë punën disavjeçare të qeverisë së Republikës së Shqipërisë me institucionet kompetente zvicerane”, tha Rama.
Marrëveshja i mundëson qytetarëve që të marrin pensione edhe kur jetojnë jashtë vendit, ndërsa të dy qeveritë do kenë një bashkëpunim më të mirë në parandalimin e mashtrimeve dhe abuzimeve me sigurimet shoqërore. Ajo gjithashtu lehtëson lëvizshmërinë e qytetarëve zviceranë dhe shqiptarë dhe i mbron ata nga kontributet e dyfishta të sigurimeve shoqërore.