Grupi prej pesë personave të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë u kompletua pas ndalimit edhe të të dyshuarit të fundit, që ndodhej në arrati, Shkelqim Kamerit.
Ai është dorëzuar sot në Polici dhe po intervistohet, nën dyshimet se është përfshirë në aktin çnjerëzor të keqtrajtimit të 11-vjeçares. Babai i Shkelqimit në një prononcim për Sinjalin ka thënë se familja është në gjendje shumë të keqe pas këtij rasti. Ai fajin ia la shoqërisë së të birit, duke ia uruar vetes vdekjen.
Teksa u deklarua shkurt për Sinjalin, ai tha se po e përjetojnë shumë rëndë këtë rast si familje. Sipas tij, Shkelqimi s’ka qenë djalë problematik, por shoqëria e ‘morën në qafë’.
Gjatë bisedës, ai disa herë tha “ma mirë me mytë veten se që jom gjallë si prind”.
“Ma mirë mos kofsha hiç, ma mirë me m’myt mu, mos me kanë gjallë se që jom prind. Unë vet e kam dorëzu Shkelqimin në Polici. Ai s’ka qenë djalë problematik, i urtë, punëtor, e morën në qaf tjetër kush, e na morën në qafë edhe neve, tri shpi na kanë blloku krejt. Mos vet. S’kom me gjetë avokat, me çka pagu, punët ligshtë. Me një rrogë tetë anëtarë“, tha ai për Sinjalin.
Që nga dita kur ka ndodhur ky rast i trishtë, ai tha se Shkelqimi s’ka qenë në shtëpi. Pasi e kuptoi se është shpallur në kërkim, ai tha se u vë vet në lëvizje për ta gjetur derisa e takoi në fshatin Koliq.
“Ma mirë me qenë të dekt, se të gjallë. Shkelqimi s’ka qenë në shpi, se kom ditë ku osht. Unë vet e kom dorëzu në Polici. Në Koliq e kemi taku. Kena dalë me lyp edhe na ka dalë në udhe përpara”, përfundoi babai i të dyshuarit.
Kameri ndodhet në stacion policor ku po intervistohet, ndërsa katër të dyshuarit e tjerë, vëllezërit Ekrem dhe R.Rexhepi, Xh.S., dhe G.J. janë dërguar në paraburgim.
Kjo ngjarje e tmerrshme ka ndodhur fillimisht në parkun e Dragodanit në Prishtinë, më 27 gusht, për të vazhduar më pas në një lokacion tjetër të panjohur.
Për këtë akt çnjerëzor që tronditi vendin Sinjali ka publikuar sot detaje të reja.
Sipas dyshimeve të para, fillimisht tre të miturit, G.R., Xh.S. dhe G.J., keqtrajtuan seksualisht vajzën e mitur, në lagjen Arbëria, në Prishtinë, për të shkuar më pas aty edhe 26-vjeçari Ekrem Rexhepi, të cilin e ka thirrur vëllai i tij G.Rexhepi.
Ekremi po dyshohet se ka shkuar deri aty me veturën e tij ‘PickUp’ dhe e ka marrë vëllain e dy të miturit e tjerë të dyshuar dhe vajzën që po përjetonte tmerrin. Rrugës, te varrezat dyshohet se ka zbritur G.Rexhepi dhe i mituri Xh.S, ndërsa me Ekremin kishte vazhduar i mituri tjetër G.J.
Ata u larguan nga ai vend për një lokacion tjetër, ku pas një periudhe të shkurtër, Ekremi dyshohet se ka ndaluar veturën dhe e ka dhunuar vajzën e mitur. Për të mos mbaruar me kaq kjo ngjarje makabre, Ekremi dyshohet se më pas e ka thirrur të dyshuarin e pestë, Kamerin.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.