Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka reaguar pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë nga pesë persona që tashmë janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
Deliu ka thënë se po vazhdon justifikimi i përdhunimeve duke fajësuar lirinë e vajzave dhe grave.
“Fatkeqësisht, sidomos nëpër rrjetet sociale, vazhdojnë justifikimet e përdhununimeve duke fajësuar lirinë e vajzave dhe grave, motrave e nënave tona. Sipas logjikës së tyre, gruaja është preja legjitime e burrave grabitçar dhe shpëtimi i vetëm i tyre qëndron te kamuflimi, tek fshehja e ekzistencës! Duhet vazhduar pafundësisht së kërkuari nga mediat të mos i ofrojnë hapësirë gjuhës që promovon këtë logjikë, diskursit abuzues e përçmuese ndaj grave!”, ka shkruar Deliu.
Ajo ka thënë se liria e vajzave dhe grave të jetojnë me të gjitha të drejtat njerëzore nuk duhet asnjëherë të jetë temë diskutimi.
Njoftimi i plotë:
Përpjekjet për arsyetim të monstruozitetit
Fatkeqësisht, sidomos nëpër rrjetet sociale, vazhdojnë justifikimet e përdhunimeve duke fajësuar lirinë e vajzave dhe grave, motrave e nënave tona. Sipas logjikës së tyre, gruaja është preja legjitime e burrave grabitçar dhe shpëtimi i vetëm i tyre qëndron te kamuflimi, tek fshehja e ekzistencës!
Duhet vazhduar pafundësisht së kërkuari nga mediat të mos i ofrojnë hapësirë gjuhës që promovon këtë logjikë, diskursit abuzues e përçmuese ndaj grave!
Nëse diçka në këtë botë s’ka çmim – është liria!
Liria e vajzave dhe grave të jetojnë me të gjitha të drejtat njerëzore nuk duhet asnjëherë të jetë temë diskutimi!