Anëtarët e G7 kanë rënë dakord të vendosin një kufi çmimi për naftën ruse në një përpjekje për të goditur aftësinë e Moskës për të financuar luftën në Ukrainë.
Ministrat e Financave thanë se kufiri ndaj naftës së papërpunuar dhe produkteve të naftës do të ndihmonte gjithashtu në uljen e çmimeve globale të energjisë. Kufiri do të vendoset në një nivel të bazuar në një sërë të dhënash teknike, raporton BBC, përcjell Telegrafi.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën për aq kohë sa të duhet”, tha G7.
Rusia tha se do të ndalonte shitjen e naftës për vendet që vendosën kufij çmimesh.
“Kompanitë që vendosin një kufi çmimi nuk do të jenë ndër marrësit e naftës ruse”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
G7 (Grupi i Shtatë) përbëhet nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Kanada, Francë, Gjermani, Itali dhe Japoni. Grupi është një organizatë e shtatë ekonomive më të mëdha “të avancuara” në botë, të cilat dominojnë tregtinë globale dhe sistemin financiar ndërkombëtar.
Në takimin e tyre virtual, ministrat e financave thanë se plani i kufirit të çmimit të naftës ishte “projektuar në mënyrë specifike” për të reduktuar të ardhurat ruse dhe aftësinë e saj për të “financuar luftën e saj të agresionit”. Ata thanë gjithashtu se donin të minimizonin pasojat e dëmshme ekonomike të konfliktit, “veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”.
Futja e një kufiri të çmimit për naftën ruse do të thotë se vendet që nënshkruajnë politikën do të lejohen të blejnë vetëm naftë dhe produkte nafte ruse të transportuara përmes detit që shiten me ose nën kufirin e çmimit.