Nëntë persona kanë humbur jetën pasi një avion i tipit “Learjet 60” është rrëzuar pranë një zone të banuar në Palm Beach County, në Florida të SHBA-së.
Sipas sekretarit amerikan të Transportit, Sean Duffy, të gjithë personat që ndodheshin në bord kanë vdekur, pasi avioni u përplas në tokë dhe shpërtheu në flakë.
Avioni ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Austin-Bergstrom dhe kishte destinacion Bahamasin, bëri të ditur Administrata Federale e Aviacionit (FAA).
Sipas të dhënave të publikuara nga faqja e gjurmimit të fluturimeve ADS-B Exchange, avioni kishte humbur rreth 27 mijë këmbë lartësi brenda një minute, pak para se të ndërpritej sinjali i gjurmimit.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se përplasja ka dëmtuar rëndë rrugën, duke krijuar edhe një gropë të madhe në asfalt.
Në momentin e aksidentit, në zonë kishte stuhi të shpërndara, ndërsa avioni kishte kaluar pranë një zone me reshje më të dendura pak minuta para se të fillonte zbritjen. Megjithatë, ende nuk dihet nëse kushtet atmosferike kanë ndikuar në rrëzimin e tij.
Administrata Federale e Aviacionit dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
Pas ngjarjes, të dy drejtimet e rrugës Military Trail janë mbyllur për qarkullim.
