Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, Vebi Mujku, ka kërkuar inspektimin e moteleve, pas shtimit të rasteve të abuzimeve seksuale me të mitur.
Përmes një postimi në Facebook, Mujku ka thënë se shumica e rasteve të abuzimeve seksuale e kanë adresën pikërisht në motele.
“Veprimtaria e pakontrolluar e moteleve të shumta përgjatë rrugëve dhe shfrytëzimi i tyre në formë “pushimi”, i ka pasojat e veta. Shfrytëzimi i tyre pa kontroll, qoftë i/e mitur, i rritur apo i moshuar vetëm për të realizuar një përfitim momental e dëmton shoqërinë tej mase”.
“Shumica e rasteve të abuzimeve seksuale e kanë adresën pikërisht në këto vende. Shumë abuzime ndodhin me kliente që nuk e kanë as moshën e posedimit të dokumentit të identifikimit”, ka shkruar ai.
Tutje, Mujku ka thënë se largimi i kamerave dhe mosruajtja e incizimeve për krijimin e sigurisë të dikujt, krijon pasiguri të madhe për të tjerët.
“Kjo veprimtari e cila funksionon me shumicë në Kosovë, në formë të sekretit publik, nuk është legale”. T’i mbrojmë fëmijët tanë duke ushtruar të drejtën prindërore dhe institucionale në njërën anë, dhe të vendosim rregulla dhe inspektim për fushëveprimtarinë e këtyre bizneseve në anën tjetër!”.