Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale.
Për këtë fenomen shqetësues ditëve të fundit ka pasur reagime të shumta pas ngjarjes që tronditi vendin, dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Së fundi një rast i tillë ka ndodhur në fshatin Bardhosh të Prishtinës, ku viktimë është një vajzë 21-vjeçare. Vajza ka rrëfyer në stacion policor detaje se si ndodhi rasti në rrugën “Kreshnikët” të këtij fshati.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve policorë, ajo ka deklaruar se është sulmuar seksualisht nga një burrë, i cili i ka shkuar nga mbrapa, derisa ajo po ecte rrugës në fshat.
Burimet thonë se bëhet fjalë për një 20-vjeçar, i cili fillimisht dyshohet se e kishte ngacmuar vajzën me fjalë, e pastaj e ka sulmuar seksualisht.
Kjo situatë e pasiguri e ka shqetësuar jashtëzakonisht viktimën, e cila ka lajmëruar menjëherë Policinë, por i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Pavarësisht tentativës për t’iu ikur prangave të Policisë, i njëjti është arrestuar dhe u shoqërua në stacion policor.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj tij është iniciuar rasti si “Sulm seksual”. I njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.