Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, që të gjendet një zgjidhje me SBAShK-un dhe fëmijët të mund të nisin mësimin të hënën.
“Kryeministër, uleni në tavolinë edhe SBASHK-un. Gjejeni zgjidhjen. Prandaj fitohet udhëheqësia. Nuk lihen në faj vartësit. Nuk pritet në pafundësi zgjidhje nga poshtë. Nuk kemi nevojë për drama të reja. Të sigurohemi që të hënën tjetër dhjetëra mijëra nxënës e fillojnë ditën në banka të shkollës, sikurse shokët e shoqet e tyre në shkolla private”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Edhe një e hënë tjetër iku e nxënësit tanë vazhdojnë në shtëpi. Por, jo të gjithë nxënësit. Vetëm ata që ndjekin shkolla publike. Vetëm ata që nuk munden me e përballu shkollimin privat. Çfarë po bëjmë? Po e theksojmë ndarjen e klasave: kush ka e kush nuk ka? Çfarë po presim? Kush po dorëzohet i pari? Kush po del më “i forti”? Trishtuese”, ka shtuar ajo. /Gazeta Enigma/