Shefi i Grupit Parlamentar të AAK, Besnik Tahiri, ka thënë se beson që nga partitë tjerë në Kuvendin e Kosovës do të mbështetet nisma e tyre legjislative e cila ka të bëjë për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
Ai, në një konferencë për media, ka deklaruar se në seancën e radhës së Kuvendit njëra nga pikat që do të diskutohen do të jetë edhe kjo nismë e tyre.
“Kërkesë e jona është që të largohet ky kushtëzim jologjik, i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët të cilët viteve 90-ta ishin larguar dhunshëm dhe jashtëligjshëm nga institucionet shtetërore të pushtetit të atëhershëm. Sa për informatë, kjo nismë legjislative ka kaluar të gjithë hapat e domosdoshëm, madje edhe llogaritjen e kostos buxhetore”.
“Tendenca që në mënyrë të gjithëmbarshme të zgjidhet problemi i pensionisteve kontributdhënës, pasi që në Kosovë janë disa ligje për kategori të caktuara, është ikje nga përgjegjësia. Propozimi ynë nuk interferon me zgjidhjen e nesërme të përgjithshme, por ndihmon. Në këtë krizë të rëndë ekonomike, ky propozim lehtëson gjendjen e tyre ekonomike”,ka thënë Tahiri.