Ish-shefi i intelegjencës në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Salih Mustafa, është duke u gjykuar në Gjykatën Speciale në Hagë, derisa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka propozuar që Salih Mustafa të dënohet me 35 vjet burgim, shkruan Gazeta Enigma.
Mirëpo, Medina Kadriu nga Instituti i Drejtësisë së Kosovës thotë se nëse potencialisht Mustafa do të denohet për vepra penale që konsiderohen si krime lufte, atëherë sipas saj dënimi maksimal është prej 20 vitesh burgim. Ndërsa, nëse dënohet për vepra penale që konsiderohen si krime kundër njerëzimit është prej 40 vitesh burgim.
“Pavarësisht si përcaktohen dënimet me anë të Ligjit për DhSK-në, duke marrë parasysh parimin bazë në drejtësi, ligji më i favorshëm duhet të aplikohet ndaj një të akuzuari dhe nëse potencialisht zoti Mustafa do të dënohet për vepra penale që konsiderohen si krime lufte, atëherë dënimi maksimal është prej 20 vitesh burgim, ndërkaq për vepra penale që konsiderohen si krime kundër njerëzimit është prej 40 vitesh burgim”, tha Kadriu për Gazetën Enigma.
Mes tjerash, Kadriu theksoi se përderisa veprat penale për çka akuzohet i pandehuri janë rregulluar atë kohë nga ligji i ish-Jugosllavisë, dhe si dënim maksimal ka qenë i përcaktuar burgimi i përjetshëm. Tutje, juristja Kadriu thekson se misioni i UNMIK-ut ka shfuqizuar si dënim maksimal burgimin e përjetshëm, dhe tanimë në fuqi ka mbetur dënimi prej 20 vitesh.
“Përderisa veprat penale për çka akuzohen të pandehurit janë rregulluar atë kohë nga ligji i Ish-Jugosllavisë, si dënim maksimal ka qenë i përcaktuar burgimi i përjetshëm”, potencon ajo.
“Mirëpo, misioni i UNMIK-ut ka shfuqizuar si dënim maksimal burgimin e përjetshëm dhe tanimë në fuqi ka mbetur në bazë të ligjit të Ish-Jugosllavisë si dënim maksimal për vepra penale që konsiderohen si krime lufte dënimi prej 20 vitesh burgim, ndërkaq për veprat penale kundër njerëzimit është i përcaktuar dënimi maksimal me burgim prej 40 vitesh”, tha ajo.
“35 vite në grila“
Prokurori Cezary Michalczuk, tha se për ndalim arbitrar kërkojnë 10 vite burgim, për trajtim mizor 20 vite burgim, për torturë 25 vite burgim dhe vrasje 33 vite burgim.
“Rregulla 164 kërkon nga paneli të japë dënim të vetëm që të pasqyrojë tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuarit, varet nga paneli të dënojë të akuzuarin sipas dënimeve që parashikohen apo me dënim më të lartë se ai që paraqitet në lidhje me çdo pikë të veçantë. Për këtë arsye, ZPS kërkon t’í jepet dënim prej 35 vitesh burg”, tha Michalczuk.
Ndryshe, Salih Mustafa mban përgjegjësi penale individuale për:
Pika 1: NDALIM ARBITRAR në kompleksin e ndalimit në Zllash afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, KRIM LUFTE
Pika 2: TRAJTIM MIZOR në kompleksin e ndalimit në Zllash afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, KRIM LUFTE
Pika 3: TORTURË në kompleksin e ndalimit në Zllash afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, KRIM LUFTE
Pika 4: VRASJE E PALIGJSHME në kompleksin e ndalimit në Zllash afërsisht midis 19 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, KRIM LUFTE.
Pavarësisht propozimit dhe akuza për të cilat rëndohet Mustafa, mbrojtja e tij ka kërkuar që i njëjti të të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat të cilat rëndojnë mbi të dhe ka kërkuar lirim sa më të shpejtë të tij.
Avokati Julius von Bone ka thënë para trupit gjykues se Mustafa nuk ka kryer asnjëherë krime por e ka vënë vetën në rrezik për të tjerët duke i shërbyer objektivit të përgjithshëm të popullit të Kosovës për të fituar pavarësinë.
Këtë, von Bone e ka thënë gjatë deklaratës përfundimtare të mbrojtjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Mbrojtja kërkon shpallje jo fajtor të zotëri Mustafa për të gjitha akuzat për të cilat ai akuzohet, ai nuk e ka kryer asnjë krim asnjëherë, ai e ka vendosur vetën e vet në rrezik për shumë njerëz ndërkohë që i shërbente objektivit të përgjithshëm të të gjithë popullit të Kosovës, që ishte fitimi i pavarësisë për njerëzit që kishin luftuar për të qenë të lirë, për një periudhë të gjatë kohore”.
“Zotëri Mustafa ka duruar një periudhë të vështirë dhe të gjatë të ndalimit të tij, ai ka vuajtur paraburgimit, nuk ka shkelur asnjë prej urdhrave që janë përcaktuar nga trupi gjykues”, ka thënë avokati mbrojtës. /Gazeta Enigma/.